Thaçi: Raporti Marti, një pamflet, të hetohet deri në fund
Kryeministri në ikje i Kosovës, Hashim Thaçi flet për akuzat e Dik Martit, për bazat e UÇK-së në Shqipëri, si dhe për një hetim tjetër nga EULEX. “Akuzat, nga klubi i njerëzve që kanë punuar kundër lirisë së Kosovës”
Zoti Kryeministër, pas zgjedhjeve Parlamentare që u mbajtën në Kosovë, një çështje që mori përmasa ndërkombëtare është raporti i raportuesit të Këshillit të Europës, Dik Marti? Cili është vlerësimi juaj për këtë raport? A do ta ndiqni ligjërisht këtë çështje?
Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë legale dhe politike, edhe pse është një shpifje e kulluar. Është një trillim i imagjinuar dhe unë kam kërkuar që kjo çështje të sqarohet nga autoritetet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare deri në fund. Kështu që unë dua të besoj që do të tejkalohet shpejt, megjithë pasojat në kuptimin e dëmtimit të imazhit të shtetit të ri të Kosovës.; të procesit të njohjeve për pavarësinë e Kosovës; për goditjen ndaj dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe ndaj shtetit të Shqipërisë; për goditjen ndaj gjithë kombit shqiptar, gjithashtu është një përpjekje për të minuar përpjekjet tona, për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, por është dhe një atak ndaj procesit të bisedimit Kosovë-Serbi, që do të mund të fillojë në të ardhmen.
Megjithatë, zoti Marti në raportin e tij ju cilëson si udhëheqës politik i UÇK-së, që keni qenë si bos i krimit dhe mafias në Kosovë. A do të ngrini padi ndaj Dik Martit?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, populli i Kosovës, ka zhvilluar luftë të drejtë, ka respektuar të gjitha standardet ndërkombëtare dhe pikërisht nga këto standarde të respektuara ne kemi fituar mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Dik Marti sulmon Kosovën, UÇK, popullin e Kosovës, sulmon NATO-n, Bashkimin Europian, SHBA-të dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne kemi një prezencë ndërkombëtare prej 12 vitesh. Prezencë kjo që ka investiguar të gjithë të kaluarën e Kosovës, pra edhe çështjet politike, të ngritura nga Marti, të hetuara fillimisht nga Tribunali i Hagës, pastaj nga UNMIK-u, por dhe nga EULEX-i. Do të sqarohen sërish këto akuza, deri në fund dhe sërish do të mbetet një panflet politik, i drejtuar kundër konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe nuk është ndonjë raport faktik.
Dik Marti ka deklaruar se ka prova dhe do të jetë në gjendje të mbrojë raportin e tij...
Të dhënat, në kuptimin e prezantimit në raportin e Martit, janë prezantime të një panfleti politik të drejtuar kundër Kosovës, pa asnjë dëshmi dhe pa asnjë provë.
Zoti Kryeministër, a jeni penduar ndopak pse nuk e keni paditur Carla Del Ponten, e cila botoi një libër me të njëjtat akuza?
Unë mendoj se demaskimin më të mirë ia ka bërë vetë investigimi prej autoriteteve të Tribunalit të Hagës, të UNMIK-ut dhe EULEX-i.
Si udhëheqës i UÇK-së, a mund të na thoni a ka pasur baza të UÇK-së Shqipëri, në Burrel a Fushë-Krujë?
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka mirëpritur ndihmën prej të gjitha vendeve edhe të rajonit, ka pranuar mbështetjen e plotë vllazërore, qytetare dhe shtetërore edhe prej Shqipërisë, edhe siç e ka pranuar mbështetjen e SHBA-ve dhe të gjitha vendeve të BE-së. UÇK-ja ka pasur mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, kudo që kanë jetuar, si dhe të gjithë ndërkombëtarëve.
Sa i njihni Burrelin dhe Fushë-Krujën, pasi këto dy vende janë përmendur vazhdimisht edhe në dokumentare që bëhen qoftë nga mediat serbe, por qoftë dhe nga ato ndërkombëtare?
Unë Shqipërinë e njoh shumë mirë dhe e dua, sepse kemi pasur marrëdhënie shumë të mira si vëllazërore, si shtetërore. Një bashkëpunim që ka rezultuar me mbështetje për kërkesat tona për liri dhe pavarësi. Është një vlerësim i lartë i të gjithë njerëzve në Kosovë për mbështetjen e Shqipërisë dhe Shqipëria gjithashtu e ka mbështetur Kosovën me aprovimin e ndërkombëtarëve, si të Uashingtonit dhe të Brukselit, prandaj tani është mirë që po hapen autostradat e komunikimit dhe afrimit sa më të shpejtë të njerëzve tanë që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë, kështu që secili nga ne duhet të ndihet shumë krenar që Kosovën e kemi shtet, Shqipëria është pjesë e NATO-s, Kosova është pjesë në axhendën Europiane. Pra ky është një sulm ndaj procesit të njohjeve të reja për Kosovën, por dhe të axhendës Europiane të Kosovës.
Pse bëhet ky sulm dhe pse në këtë kohë?
Sepse gjithmonë ka ekzistuar një klub i njerëzve që kanë punuar kundër lirisë së Kosovës, kundër pavarësisë, kundër bërjes së Kosovës shtet dhe tani kundër konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës.
Megjithatë EULEX ka kërkuar nga Dik Marti që të sjellë prova nëse ka. Cili është komunikimi me ndërkombëtarët?
Është një komunikim shumë i mirë dhe unë kam kërkuar që kjo çështje të sqarohet deri në fund, pasi kjo çështje është në interesin e Kosovës, është në interesin e popullit të Kosovës dhe të shtetit të Shqipërisë. Gjithashtu, është në interesin e stabilitetit e bashkëpunimit rajonal dhe prespektivës Europiane të Republikës së Kosovës dhe rajonit.
A do të lejoni që mos të marrin pjesë prokurorët kosovarë në këtë hetim?
Nuk është Del Ponte ajo që përcakton axhendën dhe procedurat. Është shteti i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar bashkarisht. Pra është një axhendë e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me institucionet e EULEX-it. Marrë nga Top-Channel