Papandreu: Greqia nuk mund të dalë nga eurozona
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu ka shprehur sigurinë se vendi i tij në asnjë rast nuk mund të dalë nga eurozona dhe as t'i drejtohet për ndihmë FMN-së. Duke bërë bilancin e 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, ai ka theksuar se do të merren të gjitha masat, sado të ashpra që të jenë ato, dhe pavarësisht reagimeve nga shtresat e ndryshme të shoqërisë. 100 ditët e para të qeverisjes kanë qenë një motiv për kryeministrin, që ai të shpjegojë se ç'do të bëjë në ditët e ardhshme. Në një konferencë shtypi maratonë që zgjati rreth tri orë e gjysmë, Papandreu e ka përshkruar situatën ekonomike të vendit, siç tha shprehimisht, për të qarë. Por ai ka shtuar se tjetër gjë është të thuash këtë, dhe tjetër të thuash se gjendja është e pashpresë. Papandreu ka dashur të injektojë optimizëm në opinionin publik vendas, dhe ka deklaruar se qeveria e tij merr përsipër përgjegjësinë për nxjerrjen e vendit nga kriza, duke theksuar se kjo është një punë e vështirë por jo e paarritshme. Megjithatë, kryeministri grek nuk ka dhënë detaje për strategjinë e daljes nga kriza, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk ndodhej përballë gazetarëve për të komunikuar vendime që ende ndodhen në fazën e konsultimit. Situata e ekonomisë greke ndodhet që prej dy muajsh në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Greqia ka pësuar zbritje të vazhdueshme në klasifikimin për aftësitë huamarrëse, në kohën që për këtë vit i duhet të marrë të paktën 55 miliardë euro kredi.