E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia, Ministria e Punës: Ko do të gjenden vendet e punës për 17 mijë persona gjatë 2010-s



Jonida Tashi

Ministria e Punës zbardh numrin e të papunëve që do të sigurojnë një vend pune nga shteti, duke filluar që nga viti pasardhës 2010 deri në 2013. Sipas shifrave zyrtare të këtij dikasteri, vetëm gjatë vitit 2010 në vendin tonë do të punësohen plot 17 mijë të papunë. Punësimi i sa më shumë të papunëve me qëllim uljen e nivelit të papunësisë në vend është detyra që ka marrë mbi supe kreu i ri i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera për ta zbatuar gjatë mandatit të tij 4-vjeçar. Si gjithmonë në ditët e para të marrjes së postit ministror, drejtuesit e këtyre të fundit, nuk ngurrojnë t’i paraqesin programet e tyre me të gjitha ngjyrat e ylberit. Të njëjtën gjë ka bërë dje edhe ministri që do të drejtojë për katër vitet e ardhshme dikasterin e Punës, gjatë prezantimit të programit të Ministrisë së Punës për vitet 2009-2013. Ksera ka deklaruar se vetëm për vitin më të afërt, 2010 nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrave të punësimit do të punësohen plot 11 500 të papunë. Ndërkohë që numrit të personave që parashikohen të punësohen gjatë vitit të ardhshëm, do t’i shtohen edhe 2000–2500 të papunë që do të dalin nga gjendja e të papunit falë programit të nxitjes së punësimit, si dhe 3000 të tjerë punësuar pas trajnimit të kualifikimit.
Programi
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, prezantoi dje para Komisionit Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale prioritet e kësaj Ministrie për katër vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të programit, ministri u ndal tek disa çështje thelbësore në tregun e punës si: politikat për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë, zbatimi i të cilave, sipas Kserës, do ta ulin nivelin e papunësinë nga 13 për qind që aktualisht në 11 për qind në vitin 2013. “Objektivat për rritjen e punësimit në katër vitet e ardhshme janë ambicioze. Në programin e saj, qeveria parashikon hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës. Hapja e vendeve të reja të punës, kryesisht, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi të vendit dhe programi ekonomik i qeverisë orienton një tipar të fortë punësues, si pasojë e zhvillimeve të pritshme ekonomike”,- ka deklaruar kreu i Ministrisë së Punës. Ndërsa përsa i përket rritjes së pagesës së papunësisë, Ksera ka pohuar se masa e saj e përfitimit do të rritet 10-20 për qind çdo vit.
Punësimi
Reformat e parashikuara në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, minerare e mjedisore, prioritetet për zhvillimin e turizmit, por edhe bujqësisë dhe agroindustrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja, do të jenë sipas ministrit Ksera, faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Më tej ai ka sqaruar se në programin e qeverisë parashikohet që mbi 90 për qind e vendeve të reja të punës të krijohen pikërisht nga këta faktorë. Duke u ndalur tek roli i Ministrisë së Punës dhe strukturave të saj në rritjen e punësimit, ministri theksoi se ky rol do te jetë domethënës. “Kjo do të arrihet nëpërmjet përdorimit të programeve efecientë të nxitjes së punësimit dhe fuqizimin e instrumenteve të ndërmjetësimit në tregun e punës. “Vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikojmë të punësojmë 59 mijë vetë”,- u shpreh ministri i Punës, në Komisionin Parlamentar. Me tej, ministri Ksera u ndal në prioritetet e tjera të Ministrisë së Punës në katër vitet e ardhshme si, ulja e varfërisë, rritja e mbështetjes për kategoritë e shtresave në nevojë, rritjen e pagave dhe pensioneve etj.

Numri i punësimeve për katër vjet në shifra

Nëpërmjet ndërmjetësimeve
11 500 në vitin 2010
12 000 në vitin 2011
12 500 në vitin 2012
13 000 në vitin 2013
Nëpërmjet nxitjes së punësimit
2000–2500 punëkërkues të papunë për vitin 2010
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2011
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2012
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2013
Nëpërmjet formimit profesional
6000 të kualifikuar dhe 3000 të punësuar pas trajnimit në vitin 2010
6500 të kualifikuar dhe 3400 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2011
7000 të kualifikuar dhe 3800 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2012
7500 të kualifikuar dhe 4200 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2013

Punësimi, platforma 4-vjeçare e Ministrisë së Punës

Politikat e punësimit
Ministria e Punës harton dhe zbaton nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Zyrave të Punësimit dhe Qendrave të Formimit Profesional, politikat aktive dhe pasive të tregut të punës, nëpërmjet të cilave synon integrimin dhe riintegrimin e të papunëve në tregun e punës. Në politikat aktive përfshihen shërbimet e punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe formimi profesional. Ndërsa në politikat pasive përfshihet pagesa e papunësisë si masë për mbështetjen financiare të punëkërkuesit të papunë gjatë kohës që kërkon një punë.
Shërbimet e punësimit
Rritja e performancës së shërbimeve të punësimit dhe sidomos ndërmjetësimit për punësim, duke përshtatur sa më mirë kërkesat dhe ofertat për punë do të arrihet nëpërmjet rishikimit të procedurave të regjistrimit të punëkërkuesve të papunë, të strukturës së zyrave të punësimit, duke i dhënë përparësi specialistëve që merren me shërbimet e punësimit. Zhvillimi i atyre politikave aktive që kanë në fokus të rinjtë dhe personat nga grupet e veçanta me probleme për t’u integruar në tregun e punës. Fokusimi i programeve të reja në tregun e punës, sidomos për grupet e veçanta si të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara (PAK), të papunë afatgjatë etj. Në programin e saj, qeveria parashikon hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës. Ndërkohë që vetëm nëpërmjet zbatimit të programeve të nxitjes dhe ndërmjetësimit nga zyrat e punës, për këtë mandat parashikohet të punësohen 59 mijë vetë.
Punësimi nëpërmjet nxitjes së punësimit
Zbatimi i programeve ekzistuese të nxitjes së punësimit dhe aplikimi i programeve të reja, duke nxitur punësimin e atyre personave që kanë vështirësi për t’u integruar në tregun e punës. Program për mbështetjen me kontribute të sigurimeve shoqërore dhe një pagesë minimale të punonjësve të rinj.
Pagesa e papunësisë
Do të synohet rritja e nivelit të pagesës së papunësisë në masën 10-20 për qind çdo vit. Ulja e numrit të përfituesve të pagesës së papunësisë si rezultat i punësimit të tyre nga pjesëmarrja në programet aktive në masën 10-15 për qind mesatarisht në vit.
Formimi profesional
Modernizimi i modelit kurrikular të arsimit profesional, për ta afruar me kërkesat e botës së punës dhe për të rritur shkallën e fleksibilitetit. Zhvillimi i mekanizmave institucionale për kryerjen e funksioneve të reja dhe mbështetjen e funksioneve aktuale në arsimin profesional. Plotësimi i kuadrit ligjor-normativ të arsimit profesional me ligje, vendime, udhëzime dhe rregullore të posaçme në mbështetje të të gjitha ndryshimeve formuese në këtë sektor. Zhvillimi sasior dhe cilësor i objekteve, mjediseve dhe mjeteve mësimore në mbështetje të rritjes së parashikuar cilësore dhe sasiore të ofertës së arsimit profesional. Rritja e numrit e të kualifikuarve në kurset e profesioneve dhe e të punësuarve pas trajnimit.

Politikat për barazinë gjinore dhe shanset e barabarta
Forcimi i mekanizmave ligjore dhe institucionale mbrojtës me qëllim sigurimin e barazisë gjinore në Shqipëri. Ngritja dhe fuqizimi i strukturave për barazinë gjinore dhe dhunën në familje në nivel qendror dhe vendor. Hartimi i legjislacionit të ri dhe rishikimi i atij ekzistues nga këndvështrimi gjinor dhe sigurimit të mbrojtjes dhe parandalimit të dhunës në familje. Ndjekja dhe zbatimi i detyrimeve ndërkombëtare në fushën e barazisë gjinore dhe dhunës në familje, veçanërisht të Konventës “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave”, e cila është pjesë intensive e procesit të përafrimit të legjislacionit vendas me atë Evropian në kuadrin e MSA-së. Ngritja dhe fuqizimi i strukturave që ofrojnë mbështetje për rehabilitimin e viktimave nga dhuna në familje. Mbështetje për ngritjen e strehëzave për gratë e dhunuara dhe personave të tjerë, viktima të dhunës në familje. Koordinimi dhe mbikëqyrja e punës për ngritjen dhe funksionimin e linjave telefonike falas 24-orëshe pranë njësive të qeverisjes vendore. Realizimi i integrimit gjinor nëpërmjet përfshirjes së politikave gjinore dhe të parandalimit; dhe luftës kundër dhunës në familje në të gjitha nivelet. Emërimi i nëpunësve gjinorë në ministri dhe në njësitë e qeverisjes vendore (bashkitë). Ngritja e kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve me çështjet e përkatësisë gjinore, integrimit e buxhetimit gjinor, kuadrin ligjor vendas e atë ndërkombëtar. Krijimi i rrjetit kombëtar on-line të nëpunësve gjinore.

6 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›