E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E pamendueshme të humbas”

 

Blendi Fevziu

Kryeministri Berisha premton dy ditë para zgjedhjeve se do të largohet nga politika nëse humbet më 28 qershor. Në një intervistë në emisionin “Opinion”, kreu i qeverisë foli edhe për akuzat ndaj fëmijëve të tij dhe prioritetet e mandatit të ardhshëm.
Zgjedhjet janë zgjedhje dhe asnjëherë s’mund të thuash që nuk ndodh. Nëse shqiptarët do të japin një rezultat në favor të opozitës, cili do të jetë qëndrimi juaj?
Së pari njëherë, kur mendon të pamendueshmen...
...Këtë ma ke thënë disa herë, por zgjedhjet janë zgjedhje...
... Duhet t’i japësh vetes kohë. Në ç’kuptim? Për shembull, do të ndërtojmë rrugën kam thënë, mu desh katër vjet për të bërë realitet atë. Pra, por siç e sheh ti, shqiptarët e kanë ndarë mendjen, do të votojnë për projektin e Shqipërisë evropiane.
Sa sms merrni në ditë?
Mbi 100, ka raste marr 500. Kur janë urime, qindra. Por unë i lexoj, i lexoj...
Kur i lexoni, duket sikur...
E kam ditën të gjatë unë.
I bie që kryeministri të luajë me celular gjithë ditën...
Jo, kam një orë të vonshme që i lexoj. Nuk e mbyll ditën pa i lexuar.
Le t’i rikthehemi pyetjes, nëse i humbisni zgjedhjet?
...Unë mendoj që mediat duhet të vlerësojnë këtë risi të kësaj fushate. Kjo ishte eksperienca më e shkëlqyer dhe që e kisha një qëllim. Një nga këshilltarët e mi ka drejtuar fushatën e Presidentit Obama në Florida për ëndrrën dixhitale, pasi Presidenti Obama, të flasim realisht, solli disa risi...
Mendoni ju që shqiptarët mund të jenë lodhur nga qëndrimi juaj 20-vjeçar në politikë?
Jo. Do të vij unë. ... Çdo politikan ka mësuar nga fushata e Obamës, ishin përgjigjet instantale. Nëse njeriu i Zhvarcenegërit që mori Mekein, solli përgjigjen e shpejtë, reagimin e shpejtë, Obama futi reagimin e menjëhershëm, me spote, me të gjitha.
... Zoti Berisha, nëse i humbni zgjedhjet?
Që të vijë përgjigjja duhet të ketë një feksje, nuk ka asgjë të vërtetë, asnjë feksje. Tani, unë jam i vendosur të respektoj verdiktin e qytetarëve në çdo kohë, në mënyrën më absolute, ky është qëndrimi. Që do të thotë...
...Kjo do të thotë që në përputhje me rezultatin do të merrni vendimin tuaj...
Ka një standard në botën e qytetëruar dhe drejtimi i politikanit bëhet nga zgjedhësit, vlerësimi i tij bëhet nga zgjedhësit. Ky është standardi perëndimor dhe ky është standardi...
Që do të thotë, nëse humbni zgjedhjet do të largoheni...
... Prit një minutë. Do të dal te 20-vjeçari. Po nuk ka një njeri më të votuar se unë.
Çfarë do me thënë?
Nëse shqiptarët kanë vendosur miliona, miliona, miliona, vota mbi një njeri, ky është Sali Berisha. Pasi janë 20 vite suksesi.
Nëse dilni parti e parë, por nuk keni numrin e nevojshëm të votave për të krijuar qeverinë, ku do t’i gjeni këto vota?
Unë ju garantoj që do të dalim parti e parë dhe do të kemi numrin e nevojshëm të votave.
Ju mendoni se do të fitoni mbi 70 vota?
Unë mendoj se po kthehet 1992, çfarë do të thotë, mirë do të ishte të mos kthehej, votë plebishitare. Më fal, pse plebishitare votat? Pse po çahen sheshet në mitingjet e mia.
Ka vajza dhe djali juaj përgjegjësi për aferat publike?
Në mënyrë kategorike, jo. As edhe një të vetme. Ata jo vetëm që nuk marrin pjesë në oferta publike, por edhe aktivitetin në sektorin jo publik, janë të detyruar ta ushtrojnë në përputhje të plotë me ligjin. Le të japë dikush faktin më të vogël se studio e tyre është marrë me elementin më të vogël publik ose që ka shkelur ligjet. Kanë lakuar emrat e fëmijëve të mi, 400 mijë herë, 1 milion herë dhe t’i lakojnë 10 milionë herë, por gjer më sot ka vetëm një fakt, një fakt të falsifikuar që është në gjykatë dhe ka zero fakte. Ju siguroj që do të ketë zero fakte. Standardi im, i Sali Berishës, është në radhë të parë në familjen time, nëse duan që ata të mos merren as me veprimtari private, atëherë kjo është armiqësore.
Duhen 71 deputetë...?
Unë do të përsëris fitoren e 22 marsit të 1992-shit. Do të votojnë me qindra dhe mijëra qytetarë që nuk kanë votuar kurrë, do më votojnë përtej pensioneve dhe legalizimit të shtëpive, ndërtimit të rrugëve.
Nëse fitoni, cila do të jetë dosja e parë në tryezën tuaj?
Reforma e parë do të jetë ajo e shëndetësisë. E kam shpallur një gjë të tillë. Ne gjetëm një sistem tmerrësisht të dëmtuar. Infermierë të paguar me 150 mijë lekë apo mjekë me 220.000 lekë. Sot pas dyfishimit të rrogave, ndërhyrjes në sigurimet shëndetësore. Sot spitalet kanë probleme, por do përmirësohen.
Sa kohë do të japë fryte kjo reformë?
Do të japë efekte në gjysmën e parë të vitit të dytë.
Ju tremb humbja?
Mos bëj shaka. Të jem i sinqertë kam bindjen më të thellë për një fitore plebishitare. Si kurrë ndonjëherë nuk kam parë në sheshet e këtij vendi me mijëra prozhektorë drite që buronin nga sytë e qytetarëve.
Do zhgënjeheni nëse humbni?
Unë do të kem fitoren më të thellë që nga 92 e deri më sot. Nga vitet ‘92 e deri më sot, nuk keni gjetur një proces zgjedhor të ndershëm që unë kam humbur. Nëse më gjen një proces të tillë, atëherë unë kam humbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›