E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: Mbështesim Berishën që realizoi integrimin në NATO

 

Partitë Popullore Evropiane mbështesin publikisht Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Në limitet e fushatës elektorale, Kryeministri Sali Berisha ka pritur në zyrën e tij presidentin e Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens. Kreu i qeverisë e njohu Martens me programin e Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, i cili synon t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij presidenti i PPE-së, në prononcimin për mediat, kujtoi edhe njëherë vizitën e 16 viteve më parë dhe ndryshimet që ka pësuar, sipas tij, Shqipëria gjatë kësaj kohe. “Unë vij për herë të parë këtu si President i Partive Popullore Evropiane. Në dhjetor të vitit 1993 takova zotin kryeministër, i cili ishte president i vendit. Konstatova në fillim të vizitës sime se çfarë ndryshimi rrënjësor dhe gjigant ka bërë për vendin dhe popullin e tij”, u shpreh Martens. “Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të pasur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së. Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe atlantiste të Shqipërisë”, vijoi më tej kreu i PPE-së. Sipas tij, forca fituese e zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Evropian mbështet kryeministrin Berisha për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, teksa theksoi faktin se vendi ynë ka tashmë një buxhet të stabilizuar dhe ka një infrastrukturë të re. Nga ana e tij kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që PPE i jep PD-së në këto zgjedhje. “Presidenti i Partive Popullore, Ëilfried Martens ka ardhur sot në Shqipëri për të mbështetur Partinë Demokratike, parti simotër, parti e aderuar në Partinë Popullore Evropiane. Unë i shpreha mirënjohjen më të thellë presidentit Martens për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Partisë Demokratike që nga fillimi deri më sot”, theksoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›