E Diel, 1 Nëntor 2026

Papulias: Kush është zoti Schäuble që tallet me vendin tim?

ATHINE - Presionet që i bëhen Greqisë edhe pas miratimit nga parlamenti të Memorandumit të masave, kanë zemëruar së tepërmi presidentin e vendit Karolos Papulias, i cili gjeti rastin të japë përgjigjen e tij, gjatë një takimi që pati me përfaqësues të ministrisë së Mbrojtjes.

"Si qytetar grek, unë nuk i pranoj talljet me vendin tim nga z. Schäuble. Kush është z. Schäuble që mund të tallet me Greqinë?”, ka pyetur presidenti Papulias, gjatë fjalës së tij para ushtarakëve të ministrisë greke të Mbrojtjes. 

Presidenti grek iu bëri thirrje politikanëve të vendit "të kryejnë denjësisht misionin e tyre" dhe të ndjekin shembullin e dhënë nga ushtria, duke theksuar se "mbi të gjitha është shpëtimi i vendit, i historisë së Greqisë".

"Kush është zoti Schäuble që mund të përqeshë Greqinë? Kush janë holandezët? Kush janë finlandezët?", tha Karolos Papulias, duke komentuar mbi informacionin e dhënë nga Reuters, sipas të cilit Gjermania, Finlanda dhe Holanda janë vendet të cilat bëjnë presion, që të vonohet miratimi i paketës së ndihmës për Greqinë. Ministri gjerman Schäuble, jo më larg se dje deklaroi se "Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur edhe për dështimin e Greqisë".

Duke kujtuar rolin e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore, Papulias tha: "Ne gjithmonë kemi qenë krenarë, jo vetëm se bëmë rezistencë heroike për lirinë tonë, por sepse luftuam për lirinë e gjithë Evropës”.

Karolos Papulias shprehu shpresën se kriza do kapërcehet. "Ne të gjithë e kemi për detyrë, të vëmë shpatullat në mënyrë që ta kalojmë krizën," shtoi ai.

Presidenti vuri në dukje se me nivelin e lartë të profesionalizmit dhe të moralit, Forcat e Armatosura janë një pengesë, për gjithë ata që do të mendojnë të kthehen kundër integritetit territorial të vendit.

Zoti Papulias pak orë më parë njoftoi se heq dorë nga paga e tij mujore, në shenjë solidariteti me qytetarët. Duke përshëndetur presidentin, Ministri i Mbrojtjes Dimitris Avramopulos e përshkroi vendimin e tij si "prekës”, por edhe “sinjal për shoqërinë greke” në këto momente të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›