Papunësia dhe varfëria, rreziku kryesor për stabilitetin e Kosovës

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka prezantuar të enjten faktet kryesore të Raportit të Paralajmërimit të Hershëm. Në raport thuhet se respondentët e pyetur shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, papunësinë dhe varfërinë i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës. Ndërkaq sipas raportit, për serbët, shqetësim kryesor mbetet përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tyre, kjo rrezikon stabilitetin e Kosovës për dallim nga ajo që kishin deklaruar në raportin e prillit, se papunësia dhe varfëria rrezikojnë stabilitetin në vend. Anketa e qershorit tregon se përqindja e serbëve të gatshëm për të punuar me shqiptarët ka rënë dukshëm dhe tani qëndron 29 %, krahasuar me 48 % sa ka qenë në prill të po këtij viti. Përsa u takon shqiptarëve, ky tregues ka shënuar rritje nga 33% sa ishte në prill, në 48 % në raportin e fundit. Ndërsa, lidhur me faktorët kryesorë që ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike, shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme. Shqiptarët numërojnë ndikimin e Beogradit dhe mungesën e gatishmërisë së serbëve të Kosovës për t'u integruar në shoqërinë kosovare, kurse për serbët, pamjaftueshmëria e shqiptarëve për integrimin e serbëve dhe qëndrimi i udhëheqësve shqiptarë janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike. Por, lidhur me këtë çështje, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se institucionet e Kosovës janë duke bërë maksimumin për integrimin e serbëve në shoqëri. Krahasuar me prillin e 2009-ës, anketa aktuale tregon një rënie prej 18% në aspektin e pesimizmit politik të respondentëve. Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten çdo tre muaj. Rezultatet e prezantuara janë bazuar në analiza statistikore të hulumtimit të opinionit. Ky hulumtim është bazuar në intervista të drejtpërdrejta, ku janë përfshirë 1,290 respondentë.