Paqe me Dukën, klubet as bojkot dhe as protesta
Dash Frashëri
Drejtuesit e 12 klubeve të elitës së futbollit shqiptar arritën në raundin e dytë me drejtuesit e FSHF-së një akord për mundësinë e heqjen se pezullimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA. Federata Shqiptare e Futbollit publikoi në faqen e saj zyrtare (fshf.org) një deklaratë të përbashkët nga drejtuesit e 12 klubeve të Kategorisë Superiore, ku përmes katër pikave i kërkohej “... Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, të plotësojë zyrtarisht kërkesat e parashtruara nga FIFA dhe UEFA dhe të firmosë statutin e aprovuar në asamblenë e datës 09.06.2007 nga anëtarët e saj”, për t’i dhënë edhe fund krizës ndërkombëtare të futbollit shqiptar. FSHF pohoi se është shuar çdo paqartësi që kishin presidentët e klubeve në lidhje me krizën që po përjeton futbolli ynë. “Përfundimisht, kemi dalë në një qëndrim dhe vendim unanim. Së bashku edhe me klubet vendosëm t’i kërkojmë Ministrisë të Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve të plotësojë urgjentisht kërkesat që ka dërguar FIFA dhe UEFA”, - tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në konferencën e tij për shtyp.
AS PROTESTA DHE AS BOJKOT
Vetë bosi i të “kuqve” tha për mediat: “Morëm të gjitha masat për t’u kthyer në FIFA e UEFA duke bërë të pamundurën edhe nga federata (FSHF), edhe nga ministria (MTKRS), për të kaluar këtë problem. Më pas do të vendosim edhe në Asamblenë e radhës apo atë të jashtëzakonshme ku do të vendosim edhe për disa pika që kishte statusi. Për të qenë korrekt edhe me publikun, dua të them se e kemi miratuar pa e lexuar fare. Protesta? Unë nuk jam për protesta. Fillimisht duhet të kontaktojnë ministria (e Sporteve) me FSHF-në. Nga protesta nuk arrijmë asgjë. Nuk do të bojkotojmë më”.
ASAMBLE E JASHTËZAKONSHME, OPSION
Pak orë më pas, në faqen zyrtare të klubit të futbollit “Partizani” (fkpartizani.al), u publikua një kërkesë me 10 pika të hartuar e të rënë parimisht dakord po nga klubet e Superligës, ku kërkoheshin midis të tjerave edhe “... vendosja e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme përpara datës 30 prill 2008, që është edhe afati i fundit i mbledhjes së Asamblesë së zakonshme”. Sipas asaj që një zëdhënës i klubit të kuq pohoi për gazetën “Albania”, në kërkesën e klubeve kërkoheshin disa ndryshime thelbësore në statutin aktual me të cilin operon edhe veprimtaria aktuale e qeverisë së futbollit shqiptar. “Sipas Statutit të FSHF-së, Asambleja e zakonshme mblidhet një herë në vit brenda katërmujorit të parë”, - tha zëdhënësi i klubit Partizani. “Minimalisht duhet të njoftohemi 30 ditë përpara për datën e mbledhjes së Asamblesë”.
PRESIDENTI, VETËM DY MANDATE
Kërkesa e klubeve ka dhe zhvillime interesante. “...Ndryshime në statut për kufizimin e mandatit të presidentit të FSHF-së jo më shumë se dy mandate”, - thuhet në pikën 3 të kërkesës së publikuar në fkpartizani.al, që do të thotë se nëse ajo do të miratohet në Asamblenë e radhës (e zakonshme apo e jashtëzakonshme), presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, (në fillim të mandatit të tij të dytë) do të largohej në mënyrë demokratike nga detyrimi i statutit. Mbetet për t’u verifikuar sa ky ndryshim përshtatet me Statutet e FIFA-s dhe UEFA-s.
LUFTË FENOMENEVE NEGATIVE
Futbolli shqiptar në mënyrë të vazhdueshme vuan nga një sërë fenomenesh negative dhe akte dhune, ku aktorë kanë qenë lojtarë e drejtues klubesh, por dhe tifozë në shkallët e stadiumeve. Viktima pa dyshim janë së pari gjyqtarët. “Ne garantojmë tërë opinionin publik se do të jemi kritikë ndaj fenomeneve negative që shfaqen në futbollin shqiptar. Ne garantojmë se do t’i luftojmë këto fenomene negative brenda familjes së futbollit dhe me mbështetjen e anëtarëve të saj”, - thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të federatës.
ANËTARË FANTAZMË
Një pikë shumë e ashpër e kërkesave të klubeve të Superligës, të lexuar nga presidenti i Partizanit Albert Xhani, ishte edhe heqja e të drejtës së votës së disa anëtarëve të shoqatave. Në Asamblenë e FSHF-së me të drejtë vote përfaqësimi janë 73 anëtarë të saj. “Heqjen e të drejtës së votës anëtarëve fantazmë, të shoqatave të ndryshme, të cilat deri tani konsiderohen të njëjtë me klubet e futbollit”, - thuhet në deklaratën botuar në faqen fkpartizani.al. Këto kërkesa janë diskutuar dhe miratuar edhe nga klubet e Superiores që morën iniciativën për të bërë publike nevojën e ndryshimeve.
Xhani: “Nuk jemi në gjyqin e Kadri Hazbiut”
“Mos kujtoni se jeni në gjyqin e Kadri Hazbiut!”, - kjo ishte kundërdeklarata e ashpër e presidentit të Partizanit, Albert Xhani, drejtuar dy prej anëtarëve energjikë të mbledhjes, të zhvilluar në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Anëtarët e pranishëm në takimin e shumëpritur midis Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe 12 krerëve të klubeve të Kategorisë Superiore (foto nga mbledhja) kërkuan ta vendosnin me shpatulla pas muri njëshin e të kuqve si të ishte në një “gjyq special” të kohës së Enver Hoxhës. Dy anëtarët e mbledhjes (emrat nuk po i përmendim) i drejtuan një numër të jashtëzakonshëm pyetjesh Xhanit, i cili prej dhjetë sezonesh drejton 15 herë kampionet e Shqipërisë, Partizanin, një nga klubet më me influencë në futbollin shqiptar, por edhe presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, numrit një të klubit më të vjetër në Shqipëri.
“Unë së bashku me presidentët e tjerë të klubeve kërkojmë të zgjidhim situatën”, - iu drejtua Xhani të pranishmëve, duke i konsideruar tendencioze dhe të papranueshme dhe provokative pyetjet. “Çfarë kujtoni ju, se jemi këtu në gjyqin e Kadri Hazbiut!”, - mësohet t’u këtë thënë Xhani. “Ne investojmë lekët e fëmijëve tanë”.
Deklarata e 12 klubeve e publikuar në fshf.org
Deklaratë e përbashkët për shtyp
Ne, përfaqësuesit e 12 klubeve të Kategorisë Superiore, të mbledhur sot në një takim në Federatën Shqiptare të Futbollit, me Presidentin e FSHF-së dhe Komitetin Ekzekutiv të saj, me shumë seriozitet kemi marrë informacion dhe kemi diskutuar për gjendjen në futbollin shqiptar dhe pasojat që janë krijuar pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe UEFA-s për pezullimin e Shqipërisë nga të gjitha kompeticionet europiane dhe botërore.
Të shqetësuar për këtë vendim, i cili jo vetëm e penalizon rëndë futbollin shqiptar por prek edhe drejtpërdrejtë investimet tona, ne, përfaqësuesit e klubeve të kategorisë superiore, vendosëm:
1. T’i kërkojmë Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, të plotësojë zyrtarisht kërkesat e parashtruara nga FIFA dhe UEFA. Të firmosë statutin e aprovuar në asamblenë e datës 09.06.2007 nga anëtarët e saj.
2. Z. Ministër, të demonstrojë vullnet të plotë, që garanton plotësimin e kushteve të vëna nga FIFA dhe UEFA dhe të hyjë sa më parë në kontakt me këto organizma për zgjidhjen e problemit.
3. Ne garantojmë tërë opinionin publik se do të jemi kritikë ndaj fenomeneve negative që shfaqen në futbollin shqiptar. Ne garantojmë se do t’i luftojmë këto fenomene negative brenda familjes së futbollit dhe me mbështetjen e anëtarëve të saj.
4. U ra dakord që në Asamblenë e ardhshme të radhës së FSHF-së të vendosen në rendin e ditës dhe të diskutohen disa pika për të cilat ne si klube do të biem dakord.
Ne garantojmë se kemi të gjitha forcat për t’i zgjidhur vetë dhe brenda familjes sonë problemet tona.
Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore konfirmojnë se do të vazhdojnë normalisht aktivitetin dhe njëkohësisht janë të bindur që kjo gjendje duhet kapërcyer sa më shpejt. Futbolli shqiptar ka nevojë të rikthehet urgjentisht në familjen e madhe të futbollit botëror, atje ku e ka vendin dhe ku meriton të jetë.
Klubet e Kategorisë Superiore
Deklarata e 12 klubeve e publikuar në fkpartizani.al
KËRKESË
Tiranë, 27.03.2008
Drejtuar: Federatës Shqiptare të Futbollit
Komitetit Ekzekutiv
Nga: Klubet e Futbollit të Superligës
Lënda: Paraqitja e kërkesave për disa ndryshime në statut
Ne, klubet e futbollit të Superligës, paraqesim sot kërkesat tona duke pasur si parim ndryshimin e mjedisit vetëm në të mirë të futbollit në Shqipëri. Në bisedimet më të fundit që kemi bërë me ju si drejtues të FSHF-së për problemet e shfaqura kohët e fundit, sot po ju paraqesim një draft me kërkesa që duhet të merren parasysh dhe të miratohen në një kohë sa më të shpejtë të mundshme.
Së pari, duhet t’u kërkojmë ndjesë të gjithë dashamirësve të futbollit për miratimin e statutit që ne si anëtarë kemi bërë vitin e fundit. Theksojmë se këtë hap të gabuar e kemi hedhur nga besimi verbal që kemi pasur tek ju si drejtues të FSHF-së gjithçka që ju kishit përpiluar në statut ishte në mbështetjen e anëtarëve, por realisht është bërë e kundërta.
Duke marrë shkas nga vendimi i FIFA-s dhe UEFA-s, midis të tjerave edhe “…heqjen e të drejtës së klubeve shqiptare për t’u përfaqësuar në kompeticionet europiane…”, gjendjes së vështirë që po kalon futbolli pas këtij vendimi kërkojmë:
I. Marrjen e të gjitha hapave për heqjen e pezullimit nga FIFA dhe UEFA, pasi më të dëmtuarit në këtë vendim jemi direkt ne, investitorët e klubeve.
II. Vendosjen e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme përpara datës 30 prill 2008, që është edhe afati i fundit i mbledhjes së Asamblesë së zakonshme. Asambleja e jashtëzakonshme duhet të ketë si rend të ditës miratimin e ndryshimeve në statut për kërkesat e mëposhtme:
1. Heqjen e të drejtës që ka Komiteti Ekzekutiv për ndryshimin e kalendarit të aktiviteteve futbollistike pas fillimit të sezonit. Këtë të drejtë ndryshimi të kalendarit pas momentit të fillimit të aktiviteteve ta kenë vetëm anëtarët pjesëmarrës sipas kategorive.
2. Të ardhurat e FSHF-së në një masë prej 30% të shumës, pavarësisht burimit të tyre të shpërndahen tek ne anëtarët e saj, kjo në bazë të një skeme që duhet diskutuar.
3. Ndryshimet në statut për kufizimin e mandatit të presidentit të FSHF, jo më shumë se dy mandate.
4. Heqjen e të drejtës së votës anëtarëve fantazmë, të shoqatave të ndryshme, të cilat deri tani konsiderohen të njëjtë me klubet e futbollit.
5. Ndryshimet në nenin që u heq të drejtën klubeve për shitjen e të drejtës televizive, e drejtë kjo që rrjedh nga legjislacioni shqiptar për shoqëritë aksionere.
6. Ulje të shpenzimeve për anëtarët e Komisionit Ekzekutiv, sipas Kartës Olimpike.
7. Uljen e shpenzimeve të FSHF-së në pagesa të stafit e çdo pagese tjetër të paarsyeshme, deri edhe në reduktimin e stafit.
8. Të rritet vlera e shpërblimit në çdo fundsezoni për klubet, kjo në bazë të rezultateve të arritura.
9. Njohja e anëtarëve të FSHF-së për çështjet financiare, jo vetëm në Asamblenë e zakonshme, por disa herë gjatë periudhës midis dy asambleve, bazuar në nenin 9.
10. Komisioni i kontrollit të brendshëm për çështjet financiare duhet të ketë si anëtarë të tij përfaqësues klubesh dhe jo vetëm punonjës të FSHF-së.
28 Mars 2008