Blater: “Viktimë jo Shqipëria, por futbolli dhe tifozët”
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, pohoi se institucioni i tij edhe pse nuk dëshiron të ndërmarrë masën ekstreme, pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare, shpjegon arsyet pse qeveria e futbollit botëror e ndërmori vendimin ekstrem.
Sokol Balla (Top Channel): Z. Blater, pyetja ime e parë ka të bëjë me pezullimin që ka ndërmarrë FIFA për një periudhë të pacaktuar nga aktivitetet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ekipit Kombëtar dhe të klubeve shqiptare të futbollit. Mbi ç’baza e keni marrë këtë vendim dhe arsyet përse?
Sep Blater (President i FIFA-s): Do të doja të përshëndesja si fillim të gjithë Shqipërinë dhe tifozët nga qendra e FIFA-s në Zyrih. Si president i Shoqatës Botërore të Futbollit, sigurisht që nuk jam i kënaqur nga vendimi që na u desh të merrnin në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv për të pezulluar Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo ishte një masë që ne nuk mund ta mënjanonim, por që prej një viti u përpoqëm ta evitonim këtë gjendje. Pra, të largonim ndërhyrjet e politikës. Për këtë arsye, ne kishim dërguar zotin Senesh Erzhik dhe zëvendëspresidentin e UEFA-s, i cili ka ardhur dy herë (në Shqipëri) për të qetësuar gjendjen. Por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Z. Blater, sigurisht që qeveria (shqiptare) mbajti një qëndrim të fortë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Cili do të jetë reagimi i FIFA-s, hapat e mëtejshëm që ajo do të ndërmarrë dhe a ka ndonjë shpresë që të heqë pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare?
Dua t’ju them një princip kryesor. Ne nuk jemi asgjë, asgjë që ka lidhje me qeveritë apo me ligjet e një shteti dhe në këtë rast Shqipërisë. Ju mund të miratoni çdo ligj që doni për sportin, por nëse federata juaj e futbollit dëshiron të jetë pjesë e FIFA-s duhet të respektohet minimumi statuti i FIFA-s dhe kjo duhet të zbatohet edhe nga qeveria juaj.
Shqipëria nuk luajti ndeshjen me Moldavinë dhe pas dy muajsh do të luhet edhe me Poloninë. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin. Duke marrë këtë vendim, duke pezulluar Federatën Shqiptare të Futbollit, ju nuk keni penalizuar direkt Shqipërinë, por indirekt edhe ekipin tonë kombëtar, futbollistët. Cili është reagimi juaj, z. Blater?
Unë jam i sigurt se do të jetë në të ardhmen një situatë më e mirë, pasi viktima nuk është askush tjetër por futbolli dhe ju, tifozët e futbollit. Për këtë arsye, duhet të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt që Shqipëria të luajë në fushat ndërkombëtare. Në vendin tuaj futboll mund të luani për momentin, por jo jashtë Shqipërisë.
Marrë nga Top Channel
28 Mars 2008