E Diel, 1 Nëntor 2026

Profili, dy “lepurushat” që mashtruan Pentagonin dhe qeverinë shqiptare

Pijanikë, huliganë dhe kompozitorë. Kush janë dy drejtuesit e firmës “AEY”

Habjon Hasani

Skandali i shitblerjes së armëve më shumë se problem i Tiranës zyrtare, rezulton të jetë një problem jo i vogël i Pentagonit. Sakaq, dy drejtuesit e firmës “AEY” rezultojnë dy personazhe me moshë modeste e për më tepër, tepër bohemë, e pse jo dhe problematikë. Duket se zëvendësi i Afreim Diverolit, David Packouz, përveçse një masazhator i certifikuar, rezulton dhe kompozitori i një grupi të quajtur “Micro Cosm”. Jo vetëm kaq, por David ka të shkruar në portalin “myspace” një këngë që edhe është kënduar prej tij, të cilën ia ka kushtuar vajzës së tij dyvjeçare. Ndër të tjera, zëvendëspresidenti Packouz, përveçse fton lexuesit të bëjnë masazhe të paharrueshme, nuk harron të përmendë dhe aspiratën e tij të madhe për të bërë rolin e liderit në biznesin ndërkombëtar të armatimeve. Një tipar interesant janë dhe preferencat e tij, pasi duket se në kinema është i dhënë pas filmave, të cilët flasin për jetën e familjeve mafioze italiane, apo për filma të cilët kanë si personazhe kryesorë “baronë të drogës” si Pablo Eskobar dhe të tjerë.
Diverol
22-vjeçari Efraim Diveroli është president i firmës "Aey Inc", e kontraktuar nga qeveria shqiptare për shitje municionesh. Ai e mori drejtimin e shoqërisë, të krijuar nga i ati, në moshën 19-vjeçare. Gjithashtu dhe Diveroli i ka dhënë vetes nota shumë pikante dhe romantike në Oportalin “Myspace”. “Sigurisht, jam një djalë super i këndshëm, e di çfarë dua nga jeta, por nuk jam i sigurt se si t’i fitoj ato. Kam lindur në Majami dhe nuk kam plane të menjëhershme për t’u larguar. Jam një djalë i thjeshtë dhe kam sens humori. Kam pasur probleme në shkollë të mesme, por jam detyruar të punoj shumicën e viteve të mia të adoleshencës dhe ndoshta kam ecur shumë shpejt. Më në fund kam siguruar një apartament dinjitoz dhe jam i kënaqur për momentin. Sidoqoftë, kam dëshirë të jem i suksesshëm në biznes dhe kjo më merr pjesën më të madhe të kohës. Dua të takohem me një vajzë të ëmbël e simpatike, me cilësi të mira dhe dashuri për jetën“, - shkruan ai. Kjo është ana tjetër e djaloshit 22-vjeçar Efraim Diveroli, që tronditi Pentagonin për shkeljet e tij, por edhe gjithë politikën shqiptare. Është dhe një kapitull tjetër i errët, i mbushur me dhunë dhe alkool në jetën e Efraim Diverolit, i riu amerikan të cilit qeveria shqiptare i ka shitur një pjesë të madhe të arsenalit të municioneve të ushtrisë pa dyshuar aspak. Në fillim të këtij muaji, pikërisht më datë 5 mars, Efraim Diveroli u arrestua në rrugët e “Miami Beach”, ndërsa i jepte makinës totalisht i dehur.
Mediat
Gazetat dhe televizionet më të mëdha amerikane kanë pasur për lajm të parë skandalin që ka përfshirë Pentagonin. Kanali televiziv më i madh botëror, CNN, i ka kushtuar gjithashtu një vëmendje të veçantë këtij skandali. Një mik i familjes së tij nuk arrin ta besojë se Diveroli arriti të marrë miratimin për nënshkrimin e kontratave. “Si mund të nënshkruhen kontrata të tilla me një 22-vjeçar? - shprehet ai.
Kompania “AEY” e Diverolit u themelua nga babai i tij si një kompani modeste, por tani, katër vjet më vonë, Diveroli është një lojtar kryesor në botën e armëve, ose të paktën ishte, sepse ushtria e ka pezulluar kompaninë e tij nga çdo marrëveshje”, -thuhet në raportimin e CNN-it. Më tej thuhet se “u përpoqëm ta gjenim Diverolin, por në vend të tij gjetëm babain e tij, Majkëll, i cili nuk donte të intervistohej. Më vonë Majkëll Diveroli i kishte thënë gazetares së CNN-it se djali i tij nuk ishte në Majami dhe se nuk e dinte akoma nëse akuzat janë te vërteta apo jo. Por a është dakord Majkëll Diveroli me zgjedhjen e djalit të tij? Ai citohet të ketë thënë se do të kishte dashur që djali i tij të bëhej një mjek i mirë hebre”, - thotë CNN lidhur me skandalin.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›