E Diel, 1 Nëntor 2026

Para-tetraplegjikët ndërpresin grevën e urisë

TIRANE-Greva e urisë e para dhe tetraplegjikëve ka rënë në vesh të shurdhët ndaj sot 21 grevistët vendosën që ta ndërpresin atë.

Megjithëse kanë hyrë në ditën e nëntë të 'ngujimit' asnjë institucion shtetëror nuk ka denjuar t'u kthejë përgjigje për kërkesat e tyre. Gjendja shëndetësore e 21 personave me aftësi të kufizuara të futur në këtë grevë urie përkeqësohej çdo ditë, ndërsa sot vendosën që ti japin fund grevës pasi situata u rëndua edhe më tepër.
“Heshtja e qeverisë, shuplakë e rëndë për ne”, pohuan grevistët teksa dilnin nga zyrat në Laprakë ku u ngujuan për plot 9 ditë. Shumica e tyre u dërguan në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Një ditë më parë teksa Kuvendi zhvillonte seancën parlamentare, grevistët u shprehën të irrituar kur në asnjë debat të deputetëve nuk u përmend cështja e tyre. Kulmi arriti kur dhe në mbledhjen e qeverisë nuk u mor asnjë masë për gjendjen e tyre, ndërsa në cdo ditë greve, cdo një prej grevistëve përfundonte në spital për serume pasi gjendje shëndetësore rëndohej.

Kjo situatë alarmante nuk ka kaluar pa rënë në sy të Këshillit Britanik dhe ambasadën angleze në vendin tonë, të cilët të shqetësuar u kërkuan pak ditë më parë institucioneve të takohen urgjentisht me grevistët dhe të gjejnë rrugët e zgjidhjes. Sidomos sa i përket Këshillit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilët kanë punuar me OSBE dhe Këshillin Britanik për të krijuar një cilësi më të mirë të jetës për personat e kësaj kategorie.

"Ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik në Shqipëri dëshirojnë të shprehin shqetësimin e tyre për grevën e urisë nga përfaqësuesit e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Ne nxisim palët e përfshira që të angazhohen në dialog konstruktiv për të zgjidhur shqetësimet e tyre. Si hap i parë, ne inkurajojmë Këshillin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara të takohen urgjentisht për të diskutuar çështjen. Mbretëria e Bashkuar beson se një shoqëri gjithëpërfshirëse, është një shoqëri dinamike. Këshilli Britanik ka punuar me OSBE-në për të forcuar Këshillin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili synon të krijojë një cilësi më të mirë të jetës për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Grevistët kërkonin që qeveria të shtonte përfitimin monetar për paketën e tyre sanitare dhe një rimbursim të karburantit që përdorin për mjetet më të cilat lëvizin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›