E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Peshkopi: Do ngjallim shpresat që i vdiq Berisha

PESHKOPI-Kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar sot ne Peshkopi kandidatin socialist për këtë Bashki, z. Ilir Vranici.
Në fjalën e tij përballë qytetarëve të mbledhur me këtë rast, Rama akuzoi Berishën dhe politikën e djathtë se me qeverisjen vendore që i kanë bërë Peshkopisë e kanë lënë të varfër dhe të pazhvilluar ndërsa ka ndarë banorët e zonës në të kuq e blu.
“Para se të vija këtu ndaluam në Maqellarë, aty ku Saliu ka 20 vjet që premton dhe shkatërron aty ku njerëzit janë ndarë nga një hendek i madh ndasie dhe sherri që ka hapur politika e vjetër dhe e pabesë e përcarjes për ti sunduar më lehtë”.
“Unë dëshiroj të bëj një pyetje a është ky zhvillimi që ëndërronin të gjithë ata që dolën në rrugë 20 vitë më parë për t’u clirur nga diktatira komuniste, a është ky qyteti që ëndërruan banorët e Peshkopisë për të rritur fëmijë?".

Rama tha se për disa arsye të caktuara ky qytet nuk u bë kurrë qyteti i ëndrrave
“Shihni, hidhini sytë rreth e rrotull në qytet, u thashë miqve në Maqellarë, socialistëve që ishin mbledhur në takim të së njëjtës rrugë me plot gropa, në rrugën ku nuk sheh asnjë gjë që ka të bëjë më zhvillimin e demokracinë në qytetin ku fuqia blerësë vjen gjithmonë e në rënie. A është ky qyteti i ëndrrave dhe shpresave tuaja? A është ky vendi ku secili ndjehet zot në shtëpi të vet, ku ka një rrugë të hapur për tu shkolluar për të jetuar si qytetar i Europës? Përgjigja fatkeqësisht është jo, nuk është ky vendi I ëndrrave dhe shpresave tuaja, se ky është një vend I zaptuar nga politika e vjetër e syve të verbër dhe veshëve të shurdhër dhe zemrës që rreh vetëm për interesa vetjake që rreh nga Tirana deri në Peshkopi”.

Sipas Ramës, pushteti që vodhi votën dhe vrau qytetarë të pafajshëm ka lënë në mëshirë të fatit Peshkopinë, kurse SS vjen në Peshkopi të rimëkëmbë shpresat.
“Ne jemi në këtë betejë për ëndrrat dhe shpresat e këtij vendi që nuk i ndajmë në socialistë dhe demokratë. Është bekim që ka dhe socialistë dhe demokratë që besojnë në parti të tjera, por ky bekim nuk mundet të vazhdojë më të jetë mallkim i ndasive, i një mllefi që përditë shkon me moton përca e sundo duke mbajtur peng të ardhmen e vendit”, u shpreh Rama duke theksuar se PS kërkon që njerëzit në qytetet dhe fshatrat të jenë një vend i bashkëjetesës demoktratike dhe jo nën thundrën e flamurit blu.
“Ne duam qytete dhe fshatra ku qytetarët të jenë njerëz të respektuar të barabartë dhe jo nën flamurin e tyre, por nën flamurin kuq e zi të Skëndërbeut”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›