E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada e EULEX’it

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka quajtur misionin europian për sundim të ligjit - EULEX, si një mision që më shumë ka bërë paradë në mbrojtje të ligjit sesa që e ka mbrojtur atë. Sistemi gjyqësor, sipas tij, lë shumë për të dëshiruar, edhe pse ndërkombëtarët e kanë kontrolluar atë.

Misioni europian për sundim të ligjit, EULEX, është kritikuar ashpër nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

I njohur për kritikat e tij të shpeshta drejtuar institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, Krasniqi të hënën gjatë një ligjërate në Kolegjin “Universum” në Prishtinë, ka lëshuar kritika drejt misionit EULEX, duke e quajtur atë mision që më shumë ka bërë shou me sundimin e ligjit sesa ka kontribuar në forcimin e tij.

Sipas kreut të Kuvendit, që nga vendosja e këtij misioni në Kosovë, EULEX’i ka mundur të bëjë më shumë për sundimin e ligjit, në vend se të bëjë paradë.

Sistemi i drejtësisë, ka thënë Krasniqi, lë shumë për të dëshiruar në Kosovë, edhe pse me vite të tëra ky sistem është kontrolluar nga ndërkombëtarët. Ai është shprehur i zhgënjyer me punën e EULEX’it në Kosovë, pasi që nuk e ka kryer punën për të cilën ka ardhur në Kosovë.

“Unë jam i zhgënjyer me EULEX’in në Kosovë. EULEX’i ka bërë më shumë paradë në mbrojtje të ligjit sesa që e ka mbrojtur ligjin. Sistemi i drejtësisë e ndan drejtësinë dhe e kam thënë edhe publikisht, nuk dua që sistemi i drejtësisë të jetë i politizuar dhe drejtësia të luajë rolin e sulmit në ndjekje të shtrigave. Sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë dhe të gjithë njerëzit që kanë rënë ndesh me ligjin, duhet të përgjigjen”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë ligjëratës me titull “Kosova dhe qeverisja demokratike”, Jakup Krasniqi ka folur edhe për reformën zgjedhore. Sipas tij, ende mungon gatishmëria në spektrin politik që kjo reformë të çohet përpara. Me gjithë reformat e deritanishme, ai tha se zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin më të kritikuarat nga të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri tani.

“Jemi duke u përpjekur të bëjmë një reformë zgjedhore, por si duket nuk ka një gatishmëri për të bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore. Konsideroj që e meta e këtyre zgjedhjeve është në dy segmente: një, se Kosova është një zonë zgjedhore, dhe pse janë listat e hapura. Dhe, votuesi duhet të votojë më shumë se një votë. Kjo mendoj që e vështirëson standardin për të mbajtur zgjedhje të drejta, të lira dhe të ndershme”, ka thënë ai.

Duke folur para studentëve, kryeparlamentari tha se Kosova ende është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë, ashtu siç e kanë kaluar të gjitha shtetet e tjera në fazat e para të krijimit të tyre, por theksoi se po bëhen përpjekje të mëdha për të ndërtuar institucione demokratike në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›