Java e dytë e shtatorit, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami, ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar negociatat mes Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, për rikonfigurimin pas përmbylljes së pavarësisë së Kosovës, gjithashtu, ai ka siguruar komunitetet që nuk kanë nevojë të frikësohen, pasi që, siç ka thënë ai, të drejtat e tyre nuk do të zvogëlohen.
Pas mbledhjes së këtij komisioni, Arsim Bajrami ka thënë se sot është miratuar plani i veprimit me të cilën parashihen një varg ndryshimesh kushtetuese, ku parashihen gjithsej 22 amandamente me të cilat në një mënyrë bëhet kalimi i përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare tek institucionet vendore.
Gjithashtu, preket edhe një kaptinë e Kushtetutës, përkatësisht nga neni 141 deri te 162 do të ndryshohen dhe preken edhe dispozitat e tjera, në mënyrë që me këto ndryshime kushtetuese të hiqet mbikëqyrja dhe Kosova të fitoj pavarësinë e plotë apo sovranitet të plotë.
Gjithashtu, komisionit i kanë arritur edhe ndryshimet dhe plotësimet e 21 ligjeve, që sipas Bajramit, janë kryesisht ligjet organike, sistemore dhe me ndryshimin e këtyre ligjeve do të përmbushen të gjitha obligimet ndërkombëtare për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Komisioni sot ka diskutuar edhe afatet kohore, të cilat sipas kryetarit Bajrami, do t’i përmbahen në mënyrë që ky proces të përfundoj deri më 10 shtator.
“Siç e dini, afatet janë shumë me rëndësi në këtë proces dhe jemi marr vesh që deri më 10 shtator, kuvendi të miratoj të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet, në mënyrë që java e dytë e shtatorit të jetë javë e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Është një proces jashtëzakonisht mirë i koordinuar me Zyrën Civile Ndërkombëtare, me Grupin Ndërkombëtar Drejtues, me Qeverinë e Kosovës, me gjitha partitë politike, në mënyrë që Kosova të përmbush të gjitha obligimet për të marr pavarësinë e plotë”, ka deklaruar Bajrami.
Për më tepër, ai ka shtuar se është interes vital i Republikës Kosovës që ky proces të kryhet sivjet, në mënyrë që përgjegjësinë për të qeverisur Kosovën të kenë institucionet e Kosovë dhe prezenca civile ndërkombëtare të marr një rol këshillues e jo rol ekzekutiv.
Kreu i Komisioni ka theksuar se janë duke u zhvilluar negociata mes Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it për mënyrën e rikonfigurimit të EULEX, pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
“Sa i përket çështjes së EULEX-it, EULEX-i nuk figuron në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i cili ka ardhur me ftesën e institucioneve të Kosovës. Janë duke u zhvilluar negociatat mes institucioneve vendore dhe EULEX-it për mënyrën e rikonfigurimit të EULEX-it pas tërheqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe kjo nuk do të vonoj fare komisionin, sepse ndryshimet kushtetuese nuk kanë të bëjnë me EULEX-in, kanë të bëjnë me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe me autoriteteve ndërkombëtare brenda institucioneve kushtetuese të Kosovës”, ka theksuar Bajrami.
I pyetur se a ka gjasë të marrin 2/3 e pakicave për ndryshimet kushtetuese, Bajrami ka thënë se pakicat nuk duhet t’i frikohen pavarësisë së plotë të Kosovës, sepse siç ka thënë ai, me këto ndryshime kushtetuese dhe legjislative jo vetëm që nuk preken të drejtat e pakicave, por jepet një garancë se shteti i Kosovës do t’i respektoj në periudhën afatgjate.
Ai ka sqaruar edhe dy gjëra se pavarësia e mbikëqyrur nuk prek mandatin e KFOR-it, mandatin e NATO-së, pasi ai është mandat në kohë i pacaktuar, por, sipas tij, prek kryesisht institucionet ndërkombëtare të cilat shuhen dhe kalojnë nga një rol monitorues të pavarësisë së mbikëqyrur në një rol lehtësues. /kosovapress/