Ndotja akustike,kërcënim për Tiranën
Në kushtet e një trafiku të rënduar, ndërtimeve të shumta, mosizolimit të pub-eve dhe diskove, kryeqytetasit janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj asaj që quhet “Ndotja akustike”. Hyrja e zhurmës në ambientet e banuara ose të jashtme jo vetëm provokon bezdi dhe shqetësim ndaj pushimit e aktiviteteve të tjera njerëzore, por ekspozimi i tepërt ndaj saj përbën rrezik edhe për shëndetin e qytetarëve. “Nga viti në vit vihet re një rritje e nivelit të zhurmave si gjatë orëve të ditës, ashtu edhe gjatë natës, sidomos në ato zona që ndodhen afër kryqëzimeve të makinave”, shprehen specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, kjo gjendje e rënduar ka ardhur për shkak të amullisë se krijuar në kryqëzime nga sasia e madhe e automjeteve dhe nga mosfunksionimi i sinjalistikës me shumicën e rrugëve. Faktor tjetër me një peshë shumë të konsiderueshme është lëvizja e mjeteve të rënda mbi 10 tonë, prania e të cilave në nyje të tilla problematike vështirëson shpejtësinë e lëvizjes dhe rrit në rreth 30 % nivelet e zhurmave.