Paradhënie për zgjedhjet
Pasi të kemi pranuar disa nota pozitive të këtij raporti, mbase do të jetë më e lehtë “të përtypim” pastaj edhe kritikat e tij; disa prej të cilave, bëhen e ribëhen prej shumë vitesh. Nuk është e vështirë, për shembull, të konstatohet se Evropa nuk e inkurajon një luftë politike si qëllim në vetvete. E kemi thënë edhe herë tjetër, përgjithësisht kjo luftë synon të shmangë vëmendjen e qytetarëve nga problematikat e vështira të këtij vendi. Nga ana tjetër, përmes saj, u jepet kurajo militantëve të mbahen, të shtrëngojnë radhët, të ëndërrojnë për mandatin tjetër. Inspiruesi kryesor i kësaj lufte të paprinciptë, ku dominojnë mallkimet dhe urrejtja, është vetë kryeministri i vendit. Janë kuptimplote disa nga deklaratat e tij gjatë vizitave në rrethe, me ç’rast ai nuk pushon së fyeri opozitën dhe drejtuesit e saj. Së fundmi, në Vlorë, kryeministri u hodh edhe kundër të zgjedhurve vendorë, siç ishte rasti i kryebashkiakut të Vlorës. Ai madje, foli edhe për “xhaketa të vjetra”, a thua për vete është...një xhaketë e re, fringo fare(!) Njeriu që prej gati 20 vjetësh drejton me dorë të fortë një parti, të cilën dikur qytetarët e këtij vendi e deshën shumë, bën edhe skena të pavend. Ai vë në kokë në mënyrë simbolike qylafin e labit, ai bën sikur këndon me një grup që ka dalë atje nga halli, ai përpiqet të shtiret babaxhan dhe përfaqësues i të gjithë popullit; gjëra këto që nuk i bën sot asnjë politikan evropian madje edhe ballkanik. Sjellja e tij shpeshherë folklorike, mbart edhe kuptimin e sulmeve poshtëruese që i bën opozitës; më së fundi, gjithçka tjetër përveç saj, ai pothuaj e quajti një përkryerje, një lumturi të paanë(!) Ai nuk e lë asnjëherë në vakum, në alternativë jo se jo, hapësirën midis shumicës (që zor se është më e tillë) dhe pakicës. Ky është edhe problemi më i madh i vendit tonë dhe atij progres-raportit, që flet gjithashtu për përmbushje të kushteve dhe zhvillim të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Deri më sot, është pranuar gjerësisht se Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjëherë zgjedhje të lira e të ndershme. Ndërkombëtarët edhe njëherë duan t’i dalin përpara çdo të papriture e çdo çudie tjetër shqiptare. Ata ende nuk kanë besim tek politikanët shqiptarë, pse jo edhe tek administrata aktuale. Kjo nënkuptohet edhe përmidis radhëve që i takojnë tragjedisë së Gërdecit. (Hetim i plotë dhe larg ndikimit të politikës për tragjedinë e Gërdecit!) Mund të jetë një rast unik, që në një raport të KE-së, midis konstatimeve dhe pastaj këshillave në parim, të flitet për një ngjarje konkrete. Dhe kjo ngjarje është Gërdeci. Në vetvete, përmendja e kësaj tragjedie, është një fshikullim, dhembjen prej të cilit shumica bën sikur nuk e ndjen. Por droja për zgjedhjet e ardhshme, mbetet pika më delikate e progres-raportit. Dyshimi i madh i partnerëve. Dhe jo vetëm. Konfliktualiteti politik i trashëguar dhe, së fundmi, i ushqyer pothuaj në mënyrë artificiale, është njëlloj paradhënieje për këtë. Më në fund, “progres-debati”, që do të vazhdojë edhe për ca kohë, nuk i jep asnjë mundësi programimeve korrigjuese të së ardhmes; edhe pse liderët e shumicës e premtuan një gjë të tillë. Kjo për faktin e thjeshtë se falë konfliktualitetit politik, ajo që vetëquhet e djathtë, shpëlan mosarritjet e veta; sipas parimit të vjetër “Mbrojtja më e mirë, është sulmi”. Në mungesë të ftesës për të marrë statusin e kandidatit për në BE, e ashtuquajtura e djathtë, bën më mirë të luftojë për këtë, sesa të mburret e të vazhdojë ndërtimin e demokracisë “me forcat e veta”. Shqipëria ka humbur shumë kohë të barazvlefshme me integrim, me mirëqenie për qytetarët. Progres-raporti është një thirrje edhe për këtë.