Presidenti Obama dhe bota
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjetuar transformimin më të madh në pozicionin e saj në botë, që nga zgjedhja e John Fitzxherald Kenedit, në nëntor të vitit 1960. SHBA-ja nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më parë kaq jopopullore, kaq e përtallur, dhe kaq e përjashtuar nga bota e jashtme sa ka qenë në fazat më të fundit të presidencës së Xhorxh W. Bushit. BBC-ja e pyet Madeleine Albright-in, sekretaren e Shtetit të presidentit Klinton, nëse mban mend ndonjëherë ndonjë kohë kur njerëzit e urrenin Amerikën kaq shumë. "Jo gjatë jetës sime," - u përgjigj ajo. "Unë kam ndjenja të forta për këtë vend, dhe ky është një vend i veçantë dhe i mahnitshëm. Por e them me sinqeritet se kjo është më e keqja që kam parë."
Anketat në të gjithë botën kanë konfirmuar mungesën e popullaritetit të Amerikës. Për tetë vjet fjala që kanë përdorur vazhdimisht njerëzit në të gjithë botën për të përshkruar qasjen e presidencës së Xhorxh Bushit ka qenë "arrogancë". Toni në Washington dukej se ishte ai i superioritetit, që shkonte gati në përbuzje.
Kujtoni fjalimet e Donald Rumsfeldit, Paul Wolfowitz-it, apo Paul Bremerit. Të gjitha lidheshin me pushtimin e Irakut, që u krye duke sfiduar mendimin e shumicës së pjesës tjetër të botës. Pse e pushtoi Amerika Irakun? "Sepse ne jemi Amerikanë," - është përgjigja e famshme nga një figurë e lartë në administratën amerikane. "Ne mundemi".
Jashtë vendit, shumica e njerëzve do të jenë dakord, ndoshta, me gjykimin e Madeleine Albright-it, kur thotë se "Iraku do të hyjë në histori si vendimi më shkatërrues në politikën e jashtme amerikane, më i keq se Vietnami". Në nxitimin drejt luftës në vitin 2003, kur shumë politikanë amerikanë kishin frikë të dilnin kundër turmës, Barak Obama e dënoi pushtimin me zë të lartë dhe publikisht.
Fakti që ai u zgjodh president është shpërblimi i tij për këtë. Dhe kushdo në të gjithë botën që mendonte se Iraku ishte një vendim i gabuar do ta ndjejë se Amerika ka zgjedhur tani një shteg të ndryshëm - shtegun që të largon nga transferimet e të burgosurve të dyshuar për terrorizëm në vende të treta, Guantanamo, Abu Ghraibi, tortura me ujë dhe të tjera.
Amerika nuk është më fuqia që ka qenë. Pa dashur ta bëjë, presidenti Bush e demonstroi këtë. Ajo ende mund të udhëheqë, por nuk është më në një pozitë për të diktuar për botën. Barak Obama është e qartë se e kupton këtë. Si një afrikano-amearikan, me kuptimin e vërtetë të fjalës, meqë i ati i tij ishte nga Kenia, ai nuk vjen nga një pozicion i privilegjit dhe superioritetit.
Ai do të jetë i hapur para botës në një mënyrë që presidenti Bush nuk ishte asnjëherë. Dhe ai do ta tregojë edhe një herë vlerën e ëndrrës amerikane. Nuk ka asnjë garanci se ai do të jetë i suksesshëm, si president. Xhimi Karter e kuptoi pozicionin e zvogëluar të SHBA-së në botën e pas Vietnamit dhe ai refuzoi t'i diktonte botës. Tani shumica e amerikanëve e konsiderojnë atë si dështim. Por bota e jashtme është e kënaqur me fitoren e Barak Obamës. Dhe mendimi i saj për Amerikën do të ndryshojë respektivisht.
*Marrë nga sajti o-nline i BBC-së