Si u bë kënga e Armenit për Berishën
Progres-raporti vjetor i BE, që kishte dalë një ditë më parë, e kishte nxirë qeverinë. Keq në të gjitha pikat. Asnjë lëvizje përpara, gota gjysmë e mbushur, reformat kanë mbetur në vend, korrupsioni është i lartë dhe ka perceptim edhe më të lartë se qeveria është e korruptuar etj., etj. Kjo e bëri me dhimbje koke Berishën. Në udhëtimin e tij në Vlorë duhej gjetur një zgjidhje. Duhej sajuar një ngjarje që raportin ta mburrte populli. Flamuri ia nisi punës. E mori më në fund përsipër kryetari i komunës së Armenit. “Po ta themi me zë, - tha, - na vjen turp, por do sajojmë një këngë, ua japim ta këndojnë këta të grupit polifonik dhe ne përdorim këngën.”
Ideja ishte gjeniale. Ashtu u bë. Filloi shpejt e shpejt puna me tekstin. Po Flamurit s’i ecte. Duhej gjetur ndonjë lab. I vetmi në kabinet ishte Glori. Po dhe ai s’ia thoshte shumë për bejte. Filloi punën. Glori bëri strofën e parë:
Ti për ne je shpëtimi
me vepra vjen integrimi
Ne te ty e kemi synë
Korrupsioni nuk merr frymë
Entuziazmi ishte i madh. Ia lexuan në telefon kryetarit të komunës. Atij iu duk e bukur, por s’e mbante mend. U kërkoi t’ia dërgonin me sms. Ashtu u bë.
Nisi puna për strofën e dytë. Nuk dinin si ta lidhnin. Duhej patjetër një fjalë për raportin dhe një fjali që meritë kryesore për të kishte ai burri.
Në Armen sot u çel moti
Ka dalë progres-raporti
Më i mirë del për çdo vit
Se nuk ka Berishë të dytë
Glori u bë entuziast. Flamuri po e lexonte me vëmendje, por, ngaqë nuk kupton labçe, rreshti i fundit nuk i pëlqeu.
- Ç’do të thotë nuk ka Berishë të dytë?
- D.m.th., që nuk ka tjetër si Berisha, - i tha Glori.
- Ah, mirë, thashë se nuk ka mandat të dytë, - tha Flamuri.
- Jo, jo, kështu duhet, se e kuptojnë vetë ata.
- Unë them ta ndërrojmë, - tha Flamuri, - p.sh., ta bëjmë:
Më i mirë del për çdo vit/ Se Berisha s’do me dite/
- Nuk është labçe, Flamur, është tropojançe. S’e këndojnë dot ata, e duan me “ë” në fund.
- Po pse mor burrë ç’të keqe ka këtu?
- S’ka ndonjë të keqe, por nuk e kuptojnë ata, - tha Glori. - Unë them të gjejmë dhe një refren dhe ta mbyllim. Se me dy strofa s’është keq, nëse përsërisin refrenin.
Filloi punë i pari Glori.
Ky është viti i mbarësive
që u del zot fatkeqësive
Gërdecit dhe Diverolëve
Pinarit e Delijorgjëve
Këtu Flamuri ngeli pak.
- S’më duket e mirë për refren, - tha. - Më mirë e lëmë si strofë këtë dhe bëjmë një refren tjetër.
Glori u mërzit dhe filloi t’i shpjegonte se “refreni duhet të prekë problemet kryesore dhe ne duhet t’i themi këto. Pastaj kënga do bëhet e famshme, do ta japë TV “Klani” dhe do jetë përgjigjja më e mirë për progres-raportin.”
- Nuk e jep TV “Klani”, - tha Flamuri.
- E jep, e jep, se kam dëgjuar unë që japin dhe këngë për veten ata. E mban mend atë grupin e Bënçës që u këndoi atë këngën: Se janë djem të përgatitur/ Lum nëna që i ka rritur.
- E mirë, - i tha Flamuri, - ti e di më mirë këtë punën e labçes. Ja t’i rreshtojmë një herë të tria si duken dhe t’ia nisim.
U vendos dhe u miratua. Mbeti ky version:
Në Armen sot u çel moti
Ka dalë progres-raporti
Më i mirë del për çdo vit
Se nuk ka Berishë të dytë
Ti për ne je shpëtimi
me vepra vjen integrimi
Ne te ty e kemi synë
Korrupsioni nuk merr frymë
Refreni
Ky është viti i mbarësive
që u del zot fatkeqësive
Gërdecit dhe Diverolëve
Pinarit e Delijorgjëve.
*Marrë nga edicioni satirik “Antena brenda familjes”, online në gazetatema.net