E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradite të kthjellëta, pasdite me shi

Deri ditën e martë të javës që vjen, moti do të vazhdojë që të jetë i paqëndrueshëm, herë me reshje dhe herë me diell, në pjesë të ndryshme të ditës. Sipas parashikimit më të fundit të meteorologëve, "humori" i kohës do të lëkundet mes oshilacionesh që ndryshojnë nga pjesa e parë e ditës, në të dytën, për gati një javë të tërë. Kështu, parashikuesit e motit konfirmojnë faktin se paraditet e ditëve në vazhdim do të jenë të kthjellëta, por duke filluar nga mesdita e deri në orët e vona të mbrëmjes, i gjithë territori i vendit do të mbulohet nga reshjet. Por të paktën duke ditur oraret e shiut dhe të kohës së hapur njerëzit do të mund të orientohen si me veshjen ashtu edhe me mbajtjen e çadrave.

"Në të njëjtat kushte atmosferike do të jemi dhe në ditët në vijim, pra, dita e enjte, e premte, e shtuna dhe e diela. Për sa i përket ditës së shtunë dhe të diel, pritet që paraditet të jenë kryesisht të kthjellëta, kuptohet që zonat malore do të kenë dhe vranësira dhe reshje shiu të dobëta. Ndërsa duke filluar që në orët e mesditës, pasditja dhe mbrëmja, reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin shqiptar", shprehet meteorologia Tanja Porja.

Lidhur me motin e ditëve të fundit, përveç asaj që vetë qytetarët kanë përjetuar, aparaturat e shërbimit meteorologjik kanë shënuar temperatura të freskëta. Sipas meteorologëve, këto temperatura shkuan deri në 20 gradë Celsius, duke kthyer serish stinën e vjeshtës në këtë sezon vere. Parashikuesit e motit sigurojnë se vlerat termike do të pësojnë një rritje në ditët në vazhdim. "Do të flisja konkretisht për temperaturat në orët e mesditës. Ato kanë pësuar një rënie me 10 apo 11 gradë Celsius, krahasuar me maksimalen që është shënuar për qytetin e Tiranës, rreth 36.8 gradë Celsius. Ndërkohë që e marta ka qenë dhe dita më e freskët duke shënuar vetëm 23 gradë Celsius", sqaron më tej meteorologia. Ajo thekson së në të tilla kushte atmosferike me tendenca që gradualisht temperaturat të rriten, do të jenë ditët në vijim. Ajo parashikon rritje që do vijojë deri në fundjavë edhe në fillimin e javës tjetër. Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë krijuar shumë probleme dhe në trafikun detar, në portet kryesore në vend, madje në disa zona malore edhe përmbytje, që kanë zgjatur për disa orë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›