E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, dializë edhe për fëmijët

Për fat, për realizim të planit apo si pasojë e fushatës zgjedhore, muajin qershor e ka prirë mbarësia, në sektorin e shëndetësisë. Veç shërbimit të alkoologjisë, përurimit të masterplanit të QSUT-së, prerje shiritash për disa pavijone, spitale, shërbime dhe përmirësime të cilësisë së shërbimit, një tjetër lajm i mirë vjen për spitalin "Nënë Tereza".

Sidomos për pacientët e vegjël që deri më sot janë trajtuar jashtë ose janë mjekuar pranë shërbimeve për të rriturit.

Brenda muajit qershor, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" do të çelet shërbimi i dializës për të vegjlit.

Marrëveshja u firmos nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe agjencia turke TIKA, për repartin e hemodializës, ku do të trajtohen fëmijët me probleme të avancuara të veshkave.

Shërbimi i dializës pediatrike mundësohet falë investimit prej 250 mijë eurosh të qeverisë turke dhe 8 milionë lekë të qeverisë shqiptare. Investimi është bashkëpunim midis qeverisë shqiptare dhe asaj turke, TIKA (Agjencia Kombëtare Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim). Protokolli i bashkëpunimit për ngritjen e këtij shërbimi pranë Pediatrisë së QSUT-së u nënshkrua dje në Ministrinë e Shëndetësisë, nga ministrja Anila Godo, dhe përfaqësuesi turk, Ali Ozgun Ozturk.

Ministrja e Shëndetësisë tha se fondi i vënë në dispozicion nga pala shqiptare do të nevojitet për rikonstruksionin, përshtatjen pranë spitalit të pediatrisë, të njësisë që do të shërbejë për dializën pediatrike. Pala shqiptare do të mbulojë pagat e personelit dhe të gjitha materialet e konsumit mujor dhe të përditshëm që do të ketë nevojë në këtë qendër.

Ndërsa pala turke, me një investim prej 250 mijë eurosh, do të vërë pajisjet e nevojshme në këtë qendër të dializës dhe do të sigurojë trajnimin e personelit të mesëm dhe të lartë që do të punojnë në këtë qendër.

Fondi është çelur dhe shumë shpejt pritet fillimi i konkretizimit të këtij projekti të rëndësishëm. Projekti përfshin tetë shtretër aktivë dhe dy rezervë, kryerjen e dializës peritonale, rikonstruksionin e ambientit, si edhe pajisjen me materialet e nevojshme për funksionimin optimal. Ministrja Godo, duke falënderuar institucionet turke për ndihmën dhe bashkëpunimin, e cilësoi aprovimin e projektit, si një lajm mjaft të rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare, veçanërisht për shërbimin tonë të pediatrisë. Në shërbimin e nefrologjisë, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", aktualisht trajtohen moshat madhore të pacientëve të sëmurë me veshka. Llogariten rreth 400 pacientë, të cilët kanë nevojë për terapi zëvendësuese. Rreth 175 janë pacientë të rinj. 50 vetë për 1 milion banorë është numri i pacientëve të rinj (incidenca) që kanë nevojë për terapi zëvendësuese çdo vit. Sipas parashikimeve të shërbimit të nefrologjisë, numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e terapisë zëvendësuese, dializës, do të rritet në masën 15 për qind vitin e ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›