Ylljet Aliçka, medalje ari për merita ndaj kulturës frankofone
Shoqata franceze "La renaissance française", ("Rilindja franceze") dekoron shkrimtarin Aliçka me medaljen e artë në fushën e letrave. Ai është vlerësuar me motivin për "Merita letrare në kulturën frankofone". Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, sekretari i shoqatës, Philippe Lamarque, theksoi ndër të tjera se në epokën e sotme, në kërkim të kuptimit të vetë thelbit të saj, libri i Aliçkës "Parullat me gurë" na jep jo vetëm imazhin e një shoqërie ku ai është rritur, duke i dhënë këtij imazhi një dimension universal. "Parullat me gurë" është një kryevepër e lakonizmit, e së pathënës, e saktësisë,e përmbajtjes dhe forcës. Lakonizmi i këtij libri pasqyron vizionin e botës. Falë mjeshtërisë së një arti të vështirë duket se Aliçka po ndjek vazhdën e karrierës si paraardhësit e tij diplomatë, si Morand, Saint-John Perse, apo Stendhal. Shoqata "Rennaissance française", është themeluar në vitin 1924 nga Presidenti i atëhershëm i Francës Raymond Poincaré.