E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u tkurr Shtrausi

Opereta brilante e Shtrausit (1825-1899), "Die Fladermaus" (Lakuriqi i natës, shfaqja e parë më 5 prill 1874 në Operën e Vjenës), mbylli kalendarin artistik 2007 në TKOB. Nga Austria erdhën regjisori Paul Flieder, skenografi George Sturm dhe dirigjenti Manfred Mayerhofer. Në kalendarin e TKOB thuhet vetëm bashkëpunim me CEE-Musik Theater, Ëien. I bëjmë me dije artistët dhe lexuesit që CEE (Central & Eastern European Musiktheater) është një organizatë e krijuar në prill 2004 nga Deutche Bank Stifung dhe Sekretariati Austriak i Shtetit për Arte dhe Media, ku si partner për projekte të vendeve në zhvillim është dhe TKOB i Tiranës.
Në kuadër të bashkëpunimit, artistët austriakë erdhën dhe, për 15 ditë vunë premierën "Lakuriqi i natës" në skenën e Tiranës ku duke mos patur asnjë kusht komod ngrohjeje ndihej që jemi në mes të dhjetorit. Artistët austriakë iu përveshën punës, për t'ju përshtatur kushteve tona. Orkestrantët kanë ftohtë. Instrumentave mezi u bien. Ata nuk mund të vendosen në vendin e tyre (në gropë të orkestrës) se mungojnë shumë artistë. Në një bisedë me dirigjentin z. Mayerhofer ai u shpreh se në këto kushte:
"Mu desh ta vendos orkestrën, aq sa ishin, në një cep të skenës, djathtas. Po ashtu, prapa një perdeje të bardhë, vendi që luante orkestra, u mbyll me kompensatë që të zvogëlohej i ftohti se shpesh provat, u desh t'i ndërprisnim pikërisht për këtë arsye.
Blemë 5 soba elektrike të vogla që i vendosëm në skenë (skenografi origjinale). Këto soba do t'ia lemë peshqesh TKOB… Eksperimentuam Shtrausin. E tkurrëm nga 3 orë e 30 minuta, për Shqipërinë e bëmë në 2 orë, pa pushim në akte. E gjithë kjo se në TKOB, bën shumë ftohtë." Dhe më tej dirigjenti Mayerhofer shtoi: "Ka shumë artistë të mirë shqiptarë dhe që e duan punën. Tek ne, po të kish këto kushte, artistët do ta linin shfaqjen… Tek ju janë të urtë e shumë të bindur."
Por z. Mayerhofer nuk e di që artistët shqiptarë s'mund të rebelohen e të ngrejnë krye se fluturojnë nga puna. Apo s'janë tani dhe festat e shumëpritura të fundvitit.
Përveç shkurtimit të muzikës së Shtrausit, u bënë dhe eksperimente të tjera. Artisti deklamonte në skenë: Ja tani dhe ambasadori shqiptar (!)… Apo filloi të flasë për korrupsionin në skuadrën e futbollit, duke bërë gjoja humor në skenë. Rikujtojmë përsëri që, operetën Shtrausi e shkroi në vitin 1874, për një ambjent aristokratik. Skenografi i ardhur nga Vjena për këtë shfaqje, u mjaftua me sobat elektrike për të ngrohur artistët, se për gjë tjetër s'kishte vend pasi orkestra nga të ftohtit hipi në skenë. Ishin dhe karriget e korit. Mezi doli vendi për të kërcyer ngushtë, 6 çiftet e baletit. Por ja që shfaqja duhej bërë me çdo kusht.
Opera s'kisht skenografi, por skenografi erdhi nga Vjena.
Një element i rëndësishëm për një premierë është dhe kostumografia. Tek "Lakuriqi i natës" në asnjë vend nuk ekzistonte e shkruar fjala kostumografi, s'kishte as libër premierë, siç praktikohet në TOB për vepra që vihen në skenë për herë të parë. Një fletë-volant i kuq me përmbajtjen e operetës, shpesh shërbente dhe si biletë free, që grisej nga punonjësja e shërbimit në hyrje të institucionit. Pra kish disa lloje biletash: Bileta-ftesë, fotokopje në ½ e formatit A4 në letër të zakonshme që ish për vipat biletat e kuqe dhe biletat me lekë!
Kostumografia, pra, nuk kishte asnjë të dhënë për të për arsye se ishte e arnuar. Princi Orlofsky që interpretohej nga Vikena Kamenica, përveç rrobave të saj të përditshme, pelerinën që ajo kish veshur, i takonte personazhit të Skarpios tek opera "Toska" e Puçinit. Sopranoja e mirënjohur Etleva Golemi në rolin e Rosalindës, e vetmja që e mbajti fuqishëm një nivel artistik shumë të mirë, në aktin II, kish veshur fustanin që i takonte Violetes në operën "Traviata" të Verdit. Për pelerinën e kuqe të Alfredos, nuk e di ç'të them, kushedi në çfarë opere është marrë. Dhe më tej, rrobat e baletit janë të marra gjithashtu. Në këtë rast u janë shtuar fjongot e bardha dhe busti i bardhë, pra janë arnuar ekzistueset. Kori? Fustanet e tij u morën nga "Geraldina Sposa", fustane që s'kanë asnjë lidhje me fustanet e vitit 1874, plot me dantella, veshje e kohës kur Shtrausi ka shkruar këtë operetë të shkëlqyer, veshje që nuk e njeh as peliçen e vogël që kishte veshur personazhi i Adelës-shqiptare.
Kalendari i premierave të TKOB mbaroi. Norma për vitin 2007 u përmbush. Artistët presin shpërblimin. Është fundviti, duhet të gëzojnë familjet. Ndërsa artistët austriakë duke u larguar nga këndej, thanë: "Ah, Shqipëria, vend në zhvillim. Duhet ta ndihmojmë."
Kritike muzike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›