E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradoksi, embargoja rrit çmimet në Kukës

KUKES-Embargoja e qeverisë kosovare ndaj mallrave të Serbisë po ushtron ndikim në tregun e Veriut të Shqipërisë. Bllokimi i mallrave “Made in Serbia” për në Kosovë ka krijuar një situatë jo të favorshme, veçanërisht në tregun verilindor, ku një numër i madh mallrash me origjine serbe tranzitohen, për në vendin tonë nga Kosova. Tregtarët vendas që zhvillojnë tregti të përditshme në tregjet e Kosovës, kryesisht në Prizren, kanë nisur të shqetësohen për ndikimin ekonomik mbi bizneset e tyre nga kjo bllokadë. Në Kukës numërohen afro 100 pronarë furgonësh apo kamionësh, që dalin përditë në tregun e Prizrenit, nga ku sjellin në Kukës kryesisht miell, misër dhe ushqim koncentrat për bagëtinë, mallra këto, që vijnë nga Serbia në tregun kosovar dhe prej andej shpërndahen në Kukës, Has, Tropojë e më gjerë.

Ndikimi i parë është se këta pronarë mjetesh që tani po ndjejnë rrezikun e mbetjes pa punë. Nga ana tjetër, mungesa në treg e këtyre mallrave ka filluar që tani të “përkthehet” në rritje çmimesh, në pritje që këto produkte të gjenden e të sillen nga tregje të tjera.

Astriti, një tregtar që merret prej shumë vitesh me shitblerjen e miellit tregon “Kjo embargo do të rëndojë shumë edhe mbi kuksianët dhe sidomos mbi ne, që merremi prej 10 vitesh me tregti. Këto janë punët e shtetit të Kosovës, as ne dhe askush tjetër nuk mund të ndërhyjmë, por po ndjejmë se do të mbetemi pa punë, kjo është e sigurt”. Megjithatë, sipas tregtarëve, ende është herët të vihet alarmi, sepse në Kosovë mallrat serbe që mungojnë mund të sigurohen nga rajoni, por gati askush nuk mendon se kjo situatë do të favorizonte ekonominë tonë, pra duke shtuar furnizimet për Kosovën nga Shqipëria.

Tregu i miellit e ka zanafillën e lidhjes me tregun serb që në fillim të viteve ‘90, kur shumë tregtarë të vegjël të Kukësit shisnin mallra me çanta në kohën e embargos së OKB-së ndaj ish-Jugosllavisë, të tilla si cigare, kafe, kozmetikë, etj, që mungonin në tregun e Kosovës. Në atë kohë, veturat dhe furgonët nga Shqipëria zbraznin karburantin nga serbatorët e tyre dhe prej andej sillnin miellin cilësor të prodhuar në Serbi, me një çmim shumë të leverdishëm.
(Gazeta Shqiptare/Matilda Tota/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›