E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraguaj sfidon gjigandet

Përfaqësuesja e Paraguajit ka nisur përgatitjet në Asinsion për ndeshjen kundër Argjentinës së yjeve, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2014. Për sfidën e 7 shtatorit, paraguajianët do të kenë në dispozicion të gjithë lojtarët kryesorë të ekipit, si Roke Santa Kruz i Mançester Sitit, apo edhe Viktor Kaseres i Flamengos.

“Argjentina është një kundërshtar shumë i fort. Padyshim që ata janë një prej skuadrave më të mira jo vetëm në Amerikën jugore, por në të gjithë botën. Argjentina ka lojtarë shumë cilësorë dhe duhet ta përgatisim në mënyrën më të mirë këtë sfidë”, deklaroi portieri Husto Vilar.

Në anën tjetër, sulmuesi Roke Santa Kruz shprehu besim se Paraguaj do të realizojë një ndeshje të mirë përballë kundërshtarëve të talentuar, që udhëhiqen nga Lionel Mesi.

“Argjentina është një skuadër e fortë. Megjithatë, Paraguaj ka zhvilluar gjithmonë paraqitje të mira përballë argjentinasve dhe kjo duhet të ndodhë edhe në sfidën e radhës”, tha ai.

Paraguaj i ka nisur në mënyrë zhgënjyese kualifikueset dhe ata ndodhen vetëm në vendin e parafundit, duke lënë pas vetëm Perunë. Për këtë arsye, skuadra e drejtuar nga Gerardo Peluso kërkon dëshpërimisht pikë.

Pas sfidën me Argjentinën, “Albirroja”-n e pret një tjetër përballje mjaft delikate si ajo me venezuelën, ndërsa Kaseres nënvijëzoi se “këto dy ndeshje janë mjaft delikate dhe skuadra duhet të japë më të mirën”. Gjithsesi, ai e ka të qartë se Paraguaj nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë një biletë drejt Brazil 2014.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›