E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta kerkon pasardhesin e Likes

Edicioni 2012-2013 i Superligës ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për trajnerët e aktivitetit elitar të futbollit në vend. Pas largimeve të tre trajnerëve në javën e parë të kampionatit, java e dytë u shoqërua me një tjetër shkarkim.

Bëhet fjalë për Hasan Likën, që humbi postin në krye të Teutës pas disfatës së turpshme 4-1 në fushën e Luftëtarit. Në atë sfidë bregdetarët kanë shfaqur mjaft probleme me lojën, e kjo ka bërë që presidenti Edmond Hasanbelliu të vendoste të ndryshonte drejtuesin e stolit.

Gjithçka është argumentuar me faktin se në dy ndeshjet e para të Superligës, skuadra nuk është paraqitur në nivelet e pretenduara, e ndërsa fitorja 1-0 në fushën e Shkumbinit në debutim është cilësuar me fat.

“Fatura” për zhgënjimin e Teutës i është adresuar e gjitha teknikut Lika, që gjatë sezonit të kaluar e udhëhoqi skuadrën drejt vendit të dytë, ku deri në javët e fundit “djemtë e detit” ëndërronin të fitonin titullin.

Tashmë kanë nisur të qarkullojnë edhe alternativat për stolin e bregdetarëve. Në “pole” duket se janë Sulejman Starova dhe Gugash Magani. Starova, që aktualisht është drejtor sportiv i Kukësit, e njeh mirë ambientin pasi vetëm pak muaj më parë mbante të njëjtin rol në Durrës. Ndërsa Magani drejton Shkumbinin, megjithatë ai pëlqehet për metodat e punës dhe grintën që i transmeton skuadrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›