E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parahistoria e bonifikimeve

Shumë prej nesh janë rritur me idenë se ideja "e rrallë" e bonifikimit të Fushës së Nënshkodrës dhe e zonave përreth lindi dhe u realizua nga pushteti komunist. Në fakt, shumë e shumë dekada para se këto fusha të sistemoheshin, burra të mënçur, idealistë, por edhe aventurierë e arrivistë kishin vrarë mendjen se si ta shpëtonin fushën e begatë nga vërshimi i "Ujit të Madh".
Përpjekja e parë është bërë andej nga fillimi i viteve ‘70 të shekullit XIX. Iniciator ishte një tregtar shkodran, Filip Parruca. Asokohe, Drini kur mblidhte shirat dhe dëborën e maleve, nuk e linte më Bunën që të derdhej në det. Buna fryhej keqas dhe atëherë përmbyste lagjet e qytetit, më të parën nga të gjitha lagjen e pazarit, ku kishin dyqanet e tyre tregtarët shkodranë, mes të cilëve edhe Parruca. Filipi mblodhi rreth vetes një grup pasanikësh shkodranë dhe, edhe në emër të tyre, i shkruan një firme franceze të specializuar në bonifikime. Për projektin firma kërkoi 250 napolona ar, të cilat tregtari i ndershëm i pagoi nga arka e tij, në mirëbesim dhe me bindjen se edhe të tjerët do të derdhnin shumë shpejt pjesën që u takonte. Si morën paratë, francezët dërguan në Shkodër, një inxhinjer, Vigentini. Ky pas dy-tre muajsh arriti në konkluzionin se Drini duhej ndarë nga Buna dhe të kishte një shtrat më vete. Pikërisht në atë kohë lindi një tjetër ide e zbatuar më pas nga komunistët: ajo e një hidrocentrali mbi Drin. Deri këtu dukej se puna po shkonte në rregull, por, njësoj si sot, hynë në lojë interesat e fuqive të mëdha. Porta e lartë dërgoi me ngut në Shkodër inxhinjer Menozin, një ebre austriak i vendosur prej kohësh në Stamboll. Menozi kishte një plan tjetër. Ai mendonte se duhej ndërtuar një pritë në anë të detit, e cila të mos lejonte hyrjen e rërës në shtratin e Bunës. Sipas tij, vetëm kështu edhe Drini edhe Buna do të derdheshin lirshëm në det dhe nuk kishin përse të dilnin më nga shtrati. Puna shkoi në një "tender" të bashkisë. Fitoi oferta më e lirë e Menozit, 26 mijë franga ari kundrejt 35 të Vigentinit. Për të mbuluar shpenzimet, tregtarëve shkodranë iu u vu një taksë e veçantë mbi mallrat e importit. Puna nisi me vrull. Por nuk ishte e thënë që lumi të mposhtej aq kollaj. Pas tre muajsh, Menozi u mbyt në mënyrë enigmatike në lumë. Punimet u ndërprenë.
Filip Parruca, iniciatori i parë, ai njeriu që kishte ëndërruar ta shihte qytetin e tij të rregulluar e një qendër të madhe tregtare e industriale u kërkoi ortakëve pjesën që duhej të derdhnin për të plotësuar 250 frangat e fillimit. Askush nuk pagoi. Atëherë tregtari i zhgënjyer shiti gjithçka kishte dhe e la vendin. Pasardhësit e tij kanë jetuar deri vonë në Udine, në Itali.
Në 1910, një francez, Briot hartoi një raport të detajuar mbi zgjidhjen e mundshme të problemit. Brioti kishte ardhur në Shkodër që në 1896 dhe ka qëndruar këtu edhe pas viteve të para pas Pavarësisë, në postin e kryeinxhinjerit të prefekturës. Brioti, deri më tani fare pak i njohur, është projektuesi i godinës së prefekturës, i rindërtimit të urave të Bunës e Bahçallëkut, i hapjes së rrugës së madhe në mes të lagjes Parrucë dhe i shumë godinave të tjera historike në Shkodër. Sipas francezit shpëtimi i vetëm ishte që të detyrohej Drini të rikthehej në shtratin e vjetër, të thellohej Buna duke u bërë sërish e lundrueshme dhe, me anë të digave, Kiri të derdhej në Liqenin e Shkodrës. Brioti ka raportuar edhe të gjitha punimet që asokohe pat ndërmarrë qeveria osmane, si ndërtime digash e pritash, apo thellime kanalesh ekzistuese. Me sa duket, të gjitha kanë qenë shkatërruar shumë shpejt, ose fondet shpërdoroheshin sa hap e mbyll sytë.

(Më gjerë: Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, Idromeno, Shkodër 1999).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›