E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torovica brenda 35 vjetësh

1951
"… Familja ime jetonte me blegtori, sepse mali nuk kishte toka buke e të vaditun. Mbjellshin jonxhë, asull e kallamoq. Në mal ishin shumë shtëpi e pak bagëti. Shtëpia jonë mbante shumë dele: në atë tufë kishte vetëm nji dhi. Në rranxë të malit ishte këneta. Ajo ishte nji pasuni e madhe jo vetëm për peshkun, që xehej fare lehtë, por edhe për kullotjen e lopëve e të kuajve. Pak pa fillue edhe shinat e vjeshtës ajo kishte edhe gram të mirë për dhentë. Ishte nji xhevahir i vërtetë për blegtorinë e trashë. Na kishim në breg të kënetës dy kësolla shumë të mëdha: njana rrinte haptë për me hi e me dalë lopët e qetë kur të duen, sidomos në mot të keq, ndërsa tjetra rrinte e ndryme me derë: aty lidheshin viçat. Në këtë mënyrë njeriu shfrytëzonte ndiesinë e natyrës amnore. Kur viçi pëlliste me të madhe se e kish marrë uja, nan e vet lopë ia njihte zanin dhe delte prej kënetet ose kulloset dhe shkonte me i dhanë gji…".
(At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, 55, Tiranë 2006).

1986
"…Në tabelën ‘Malecaj 3 km" makina la rrugën automobilistike kryesore në të majtë të së cilës ishte Torovica, që i kishte dhënë emrin kampit, e zbriti në të djathtë, në një rrugë të mbajtur keq, gjithë gropa… Në mes të atij pisllëku luanin fëmijë këmbëzbathur. Aty ku lagështia ishte më e madhe, zhgërryhej ndonjë derr, i cili bënte që vendi rreth e rrotull të kutërbonte. Anash, ku mbaronte sheshi, disa nga banorët kishin bërë kopshte, të rrethuar shkel e shko, shumica me tel me gjemba nga i kampit. Rreth e rrotull kopshteve, deri poshtë në kanal kishin mbirë bimë të mëdha rrodheje. Kudo këtu në kamp vetëm rrodhe, aq shumë rrodhe. Ishin të larta, të dendura, plot me ‘fruta‘ të mëdha sa një arrë. Ato bimë unë i kisha ndeshur shpesh edhe më parë, por me trup dhe kokrra të vogla edhe me gjemba të shkurtër e të butë. Kurse këto duket i kishte ndihmuar të harliseshin ashtu toka pjellore e ish-kënetës. U ngjiteshin shumë edhe qenve e derrave…".
(Liri Lubonja, Larg dhe mes njerëzve, Fjala, Tiranë 2007).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›