E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në ditëlindjen e studentes, dëshmitarët refuzojnë gjykatën

 

KORÇE - Seancat gjyqësore për ngjarjen që ktheu në tragjedi ditëlindjen e një studenteje të Korçës kanë mbetur në vend për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve. Personat që janë ndodhur mbrëmjen e 15 prillit, ku mbeti i vdekur 25–vjeçari Elis Spaho, pasi u godit me thikë në zemër, nuk i janë përgjigjur fletëthirrjes së Gjykatës së Korçës. Mësohet se janë katër persona, dy prej të cilëve studentë dhe dy të tjerë të rinj nga Korça, të cilët nuk janë paraqitur për të dhënë version e tyre për ngjarjen e rëndë. Autori i dyshuar, 30-vjeçari Erjon Pepellashi, është arrestuar dhe pret të marrë verdiktin për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjyqtari i çështjes, Admir Belishta, njëherësh edhe kryetar i kësaj gjykate, gjatë seancës së djeshme vendosi sjelljen forcërisht të dëshmitarëve. Vrasja ndodhi rreth orës 01.00 të datës 15 prill të këtij viti në një lokal pranë Qendrës së Trajtimit të Studentëve të Universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë. Viktima është konfliktuar me tre persona, të cilët ndodheshin në tryezën përballë tij. Elisi akuzoi autorin se po i ngacmonte vajzën me të cilën ai shoqërohej. Kaq ka mjaftuar që situata të degjeneronte fillimisht me sharje e fyerje të rënda. Sherri mes dy grupeve vijoi edhe jashtë lokalit, në sheshin para godinave të studentëve. Gjatë përleshjes dyshohet se Pepellashi ka shkuar në lokal dhe ka marrë aty një thikë me të cilën ka goditur Elis Spahon. Në seancën e djeshme gjyqësore ishte parashikuar që të pyeteshin gjashtë dëshmitarët e kësaj çështjeje, por kishin ardhur vetëm dy prej tyre, shokë të viktimës. Ata pohuan se kishin konsumuar pije alkoolike dhe se sherri mes dy grupeve filloi brenda lokalit dhe përfundoi në sheshin në dalje të tij, por pa dhënë dëshmi të rëndësishme për akuzën.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›