E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi, prodhuesit e bukës do të rrisin çmimin

Produkti Kostoja e miellit po pëson rritje të shpejtë, madje me hapa galopantë

Prodhuesit e bukës paralajmërojnë rritjen e çmimit për shkak të rritjes së shpejtë që po pëson çmimi i miellit. Sipas tyre, një kuintal miell, para një jave është blerë me 4 mijë e 200, ndërkohë që sot është blerë me 5 mijë e 200 lekë, duke pësuar një rritje të menjëhershme prej një mijë lekësh.
“çmimi për momentin nuk është rritur. Pritet një rritje në të gjitha furrat e Shqipërisë, pasi çmimi i miellit po rritet me hapa galopantë. Nuk kemi bërë rritje për momentin, të shikojmë se si do shkojë tregu. Nëse rritet mielli do reagojmë edhe ne”, deklaron Ardian Dalipaj, pronar i një furrë buke.
Pronarët e furrave të bukës janë në pritje të rritjes që do të pësojë çmimi për një kuintal miell, pasi burime të pakonfirmuara thonë se ditën e hënë një kv miell do të shitet me 6 mijë lekë.
Ata nuk japin ende çmimin se sa do të shitet një bukë e zakonshme 70 gramësh javën që vjen, kur aktualisht ajo kushton 60 lekë.

Lëkundjet në tregun ndërkombëtar filluan menjëherë pas vendimit të qeverisë ruse për të bllokuar eksportin e grurit si pasojë e thatësirës dhe djegies së fushave të tëra me grurë nga zjarret që kanë përfshirë këtë vend prej disa ditësh.

Tregu vendas, pre e abuzimit dhe monopolit

Edhe pse është rritur me 80 për qind brenda një muaji, të dhënat tregojnë se çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar është sërish gati dy herë më i ulët sesa në krizën e viteve 2007-2008.
Dy vjet me parë, çmimi i miellit në tregun ndërkombëtar ceku rekordin e mbi 350 dollarëve për ton, nga 200 që është aktualisht. Në atë kohë, çmimi i bukës në tregun e brendshëm arriti në 80 lekë. Por pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ranë në mënyrë drastike për shkak të krizës, ndërsa konsumatorët shqiptarë nuk përfituan nga ajo. Edhe këtë herë tregu shqiptar nxiton të paralajmërojë rritje të çmimeve, kostoja e të cilëve bie gjithmonë mbi konsumatorët, e sidomos ata me të ardhura më të ulëta. Por nëse çmimi i bukës në tregun vendas do kishte ndjekur në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimin e miellit në tregun ndërkombëtar, atëherë rënia e çmimit duhet të kishte qenë shumë më e fortë sesa ajo që ndodhi. Dyshimet se tregu i drithërave në Shqipëri, është i komanduar në të kaluarën janë provuar edhe zyrtarisht. Një vit më parë, autoriteti i konkurrencës provoi se dy kompanitë më të mëdha të miellit në Shqipëri kishin marrëveshje të fshehtë duke rritur artificialisht çmimet, që sot kërcënohen të rriten sërish.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›