Superstrada, Sarandë-Konispol, asfaltohen 22 km e parë
09/08/2010 Kanë përfunduar punimet në 22 kilometra të superstradës Sarandë-Konispol. Dje, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka inspektuar punimet për realizimin e kësaj vepre, që do të rrisë ndjeshëm cilësinë e qarkullimit në këtë zonë. Superstrada Sarandë-Konispol përbëhet nga dy seksione: Qafë Botë-Krane dhe Krane-Sarandë. Aktualisht përqendrimi më i madh i punimeve është te dy urat: ajo e Kranes dhe e kryqëzimit të Delvinës, deklaron Ministria e Transporteve. Segmenti me gjatësinë 40 km dhe gjerësi 9.5 m përbëhet nga 2 korsi, ku shpejtësia e lëvizjes është 80-100 km/orë. Vlera e investimit për segmentin Sarandë-Konispol është 29 milionë euro, i cili është një investim i përbashkët i qeverisë greke dhe shqiptare. Gjatë inspektimit të punimeve, mbikëqyrësit e tyre deklaruan se deri më sot janë kryer 70 për qind e punimeve. Rruga përbëhet nga 12 ura dhe shumë vepra të tjera arti. Ministri Olldashi gjatë inspektimit u ndal edhe në segmentin turistik Kanali i Çukës-Butrint, ku ka filluar asfaltimi i 3 km të parë. Ritmet e punimeve në këtë segment kanë hasur në vonesa si pasojë e kalimit të projektit në zona që rezultuan arkeologjike. Ministria sqaron se për këtë arsye ky projekt u rishikua në tërësinë e tij, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare rrugës pa dëmtuar vlerat arkeologjike të zonës si dhe parkun e Butrintit. Segmenti Kanali i Çukës-Butrint ka një gjatësi prej 12 km dhe gjerësi 9 m dhe investimi ka një vlerë prej 1.2 miliardë lekë.
Bujqësia
Subvencionimi, skema për bizneset agropërpunuese
Dyfishimi i eksporteve nga bizneset e mëdha të agroindustrisë janë tregues i mundësive reale për të shfrytëzuar potencialet e vendit. Rasti i prodhuesve të vezëve, stabilimenteve të shpendëve, përpunimit të qumështit janë një ftesë edhe për sektorët e tjerë të agropërpunimit, për të cilët shteti ka nisur të aplikojë skemat e mbështetjes. "Një nga pikat që ne kishim është eksporti, që sivjet është dyfishuar, nga 25 milionë vezë vitin e kaluar, këtë vit shkon rreth 50-55 mln vezë. Prodhimi është rritur 20 për qind, tregues që na tregojnë që kemi ecur në rrugë të duhur deri tani", deklaroi Sami Gjergji, biznesmen. Ndërkohë, Genc Ruli, ministër i Bujqësisë theksoi se është "një komponent i politikave që ne po zhvillojmë si të mbështesim këtë sektor. Është një sektor që dhe në Evropë mbështetet fuqimisht, me instrumente direkte apo indirekte nga shteti dhe pa dyshim zgjerimin e investimeve apo të kapacitetit eksportues të tyre kanë nevojë të ndihmohen nga këto skema që ne sapo kemi filluar ti aplikojmë, që janë skema e garancisë për kreditimin për investime, apo dhe skema e garancisë për kreditimin për eksport”. Ministri Ruli tha se në këtë vit, që në aspektin bujqësor ka qenë i mbarë, skemat e mbështetjes kanë filluar të japin efektet e tyre pozitive.