E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmeron EZ Naco Furnizoni ujesjellesat

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i  bën thirrje kompanisë ÇEZ Shpërndarje që t’i japë fund situatës së krijuar në disa qytete te vendit, për shkak se ajo ka ndërprerë energjinë elektrike, për ndërmarrjet e ujësjellësve. Kompania çeke ka marrë këtë vendim pasi ndërmarrjet e ujësjellësave nuk kanë shlyer detyrimet ndaj saj, por ministria e ekonomisë kujton se dhe vetë kjo kompani është debitore ndaj KESH-it dhe OST-së.

Përmes një njoftimi për shtyp, kjo ministri e konsideron  të papranueshëm çdo mekanizëm presioni për arkëtimet e borxheve ndaj ujësjellës-kanalizimeve, duke vlerësuar se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së problemit, por është manaxhimi i keq i kësaj kompanie në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, e cila mban përgjegjësi të plotë për situatën e krijuar.

Ndërkaq i kërkohet kompanisë ÇEZ Shpërndarje që të rilidhë menjëherë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësave, sidomos në zonat turistike si dhe vlerësohet se këto veprime nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit të detyrimeve financiare shjumë herë më të mëdha që kjo kompani ka ndaj institucioneve shtetërore si KESH dhe OST. Në njoftimin për shtyp bëhet e njohur ngritja e një grupi pune që po studion mundësinë e liberalizimit të tregut të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Taulanta Boja

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›