Partitë politike mbështesin Limajn
Përfaqësuesit e subjekteve politike e çmojnë lart qëndrimin e deputetit Fatmir Limaj dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, përderisa e konsiderojnë të papranueshëm dhe absurde të mendohet se në Kosovë ka pasur krime të luftës. Sipas tyre, drejtësia në Kosovës është vënë në shërbim të politikës, ndërkohë kërkojnë që gjyqësia ta kryejë punën në mënyrë të pavarur dhe mbi bazën e fakteve, pa u ndikuar nga politika.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka theksuar se të mendohet se ka pasur krime lufte në Kosovës është e papranueshme dhe absurde, ngase dihet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë për liri dhe për çlirimin e vendit nga regjimi i Serbisë.
“Në Kosovë është zhvilluar një luftë çlirimtare, nuk është zhvilluar një luftë pushtuese ndaj askujt dhe e dyta që është tepër e rëndësishme z. Limaj për të njëjtën vetëm ka qenë i akuzuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Atje ka arritur suksesshëm të dëshmojë pafajësinë e tij, të dëshmojë se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe kam besim të plotë se edhe kësaj radhe z. Limaj do të arrijë suksesshëm të dëshmojë pafajësinë e tij dhe të dëshmojë edhe një herë dhe të vërtetojë se në Kosovë lufta jonë nuk ka pasur asnjëherë elemente të krimit”, ka thënë Grabovci.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri para së gjithash ka përshëndetur qëndrimin e Fatmir Limajt, në kuptimin e gatishmërisë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.
“Ne e dimë edhe rastin kur ka qenë në Hagë dhe po ashtu ky bashkëpunim i tillë dhe gatishmëria e tij për t’iu përgjigjur ftesave të organeve të drejtësisë dhe ne duhet dhe kemi obligim të besojmë në organet e drejtësisë dhe atyre duhet lënë fjalën dhe po them edhe njëherë se duhet përshëndetur qëndrimin e tij dinjitoz dhe pozitiv në aspektin e bashkëpunimit me ata që janë të thirrur për sundimin e rendit dhe ligjit. Të tjerat duhet lënë gjykatës”, ka thënë Beqiri.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e sheh rastin e Limajt nga një prizëm tjetër. Ai e ndërlidh këtë me aspekte politike, duke thënë se këtë e dëshmon më së miri fakti që as 24 orë nuk kaluan nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetit, dhe filluan menjëherë arrestimet e deputetëve.
“Ajo për çka ka paralajmëruar me kohë Lëvizja Vetëvendosje se ne atëherë kur Gjykata Kushtetuese ngriti interpretimin e saj, ne po ashtu ngritëm shqetësimin tonë se kjo do të mund t’i hapë rrugë shtetit policor të kryeministrit dhe të qeverisë, për arsye se kemi të bëjmë me një qeveri policore, e cila do t’ua mbyllë gojën përfaqësuesve të popullit nëpërmjet metodave të tilla dhe mendoj që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë po ashtu kontributin e saj që t’i hapë rrugë këtij shteti policor. Para dy ditësh kemi thënë që kjo mund të shfrytëzohet, po ashtu, edhe për eliminimin dhe spastrimet e brendshme partiake të eliminimit të kundërshtarëve politik të kryeministrit dhe kjo mendoj se është duke ndodhur aktualisht”, ka thënë Konjufca.
Ndërkaq Ahmeti Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se politika është duke ushtruar ndikimin e saj tek drejtësia, dhe kjo sipas tij, vërehet në mënyrë të veçantë në rastin e Fatmir Limajt, me lëndën e të cilit është marrë edhe Gjykata e Hagës, edhe UNMIK-ut, edhe tash EULEX-i.
“Konsideroj se drejtësia në Kosovë është nën ndikimin e politikës me vetë faktin se z. Limaj një herë është akuzuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pastaj UNMIK-u është marr me këtë lëndë, EULEX-i tash merret dhe në të njëjtën kohë janë dy akuza që ndërlidhen me gjoja krime të luftës dhe tjetra me korrupsionin, gjë që tregon për jo seriozitetin e drejtësisë në Kosovë dhe ndikimet politike që po bëhen”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Limaj tregon më së miri për nivelin e seriozitetit të institucioneve, për të cilat ai ka thënë se po e humbin çdo ditë vlerën dhe pavarësinë e tyre, duke rënë nën ndikimin e politikës për interesa të ngushta të vendorëve dhe ndërkombëtarëve.
Gjykata e Qarkut në Prishtinë mbrëmë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për deputetin Fatmir Limaj, i cili paraprakisht është marrë në pyetje fillimisht për rastin “Kleçka” e më pas fillimisht edhe për dyshime për përfshirje në korrupsion në kohën sa ishte ministër i Ministrisë së Transporteve në Qeverinë e kaluar.
Vendimi i Gjykatës së Qarkut ka ardhur pak pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetëve, e cila ka vlerësuar se imuniteti i ligjvënësve është minimal dhe se mund të arrestohen në çdo rast, nëse dyshohen për vepra të ndryshme. (KP)