Paralizohet linja hekurudhore Tiranë- Vlorë
VLORE- Prej mëse dy ditësh nuk kryhet asnjë udhëtim nga Vlora në drejtim të Tiranës apo anasjelltas. Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i cili është vendosur në dyert e stacionit hekurudhor në të cilin shkruhet se treni nuk do të mbërrinte në Vlorë për shkak të punimeve në kilometrin e 67-ë, dhe sipas shkresës kjo situatë do të vijojë deri në një afat të papërcaktuar. Udhëtarët shprehen të shqetësuar nga kjo situatë pasi udhëtimi me tren është e vetmja mundësi ekonomike për të udhëtuar. Nuk dihet ende se kur do të riparohet pjesa e dëmtuar por deri më tani nuk ka asnjë njoftim të dytë, madje në zyrat e stacionit të trenit nuk ka asnjë punonjës. Banorë të cilët jetojnë pranë vendit ku ndodhen stacioni i trenit shprehen se 4 vagonët që janë jashtë funksionit janë kthyer në një vatër për të droguarit. Kjo gjë faktohet edhe nga shiringat që gjenden në vagona apo sende të tjera , të cilat sipas dëshmive të vetë banorëve i përkasin personave që drogohen. Nuk kanë munguar edhe rastet kur blutë kanë kryer arrestime të shumta në këtë vend, kryesisht për përdorim të lëndëve narkotike. Banorët shprehen të shqetësuar për marrjen e masave, për largimin e vagonëve që nuk kryejnë asnjë lloj funksioni. (e.n/news24/BalkanWeb)