E Diel, 1 Nëntor 2026

Bledar Balliu, i vetmi i dyshuar për vrasjen e Koliçit, edhe 1 muaj në qeli

SHKRUAN: Leonard Bakillari 29-08-2011 11:57

Tiranë Bledar Balliu vazhdon të mbetet, sipas prokurorisë, i dyshuari i vetëm për vrasjen e Aleksandër Koliçit, i cili u ekzekutua në korrik të këtij viti në zonën e ish-Bllokut. Pavarësisht alibisë së ish-mikut të viktimës, prokuroria i ka kërkuar gjykatës të zgjasë edhe për një muaj afatin paraburgimit ndaj Balliut. Kjo kërkesë është pranuar nga gjyqtarja e gatshme, e cila vlerësoi si të drejta pretendimet e prokurorisë, që kërkoi edhe një muaj kohë për të administruar disa prova të rëndësishme për hetimin. Paralelisht, përfaqësuesi i akuzës ka rrëzuar alibinë e të dyshuarit, i cili pretendon se gjatë kohës kur ndodhi ngjarja ka qenë në një prej lokaleve të zonës së ish-Bllokut, ku është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë. Ky pretendim është verifikuar në terren nga hetuesit e çështjes, të cilët konstatuan se kamerat e sigurisë së lokalit janë vëzhguese dhe nuk regjistrojnë asnjë sekuencë filmike. Kjo e dhënë rrëzon albinë e të arrestuarit, ndërsa i jep të drejtën prokurorisë të vijojë hetimet duke kërkuar zgjatjen e afatit të paraburgimit për të dyshuarin Bledar Balliu. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Tiranës, mësohet se kërkesa është depozituar ditën e premte dhe po atë ditë gjykata ka vendosur ta pranojë atë. Përfaqësuesi i akuzës argumentoi se zgjatja e afatit të paraburgimit për të dyshuarin kërkohet për administrimin e disa të dhënave të rëndësishme për hetimin. Përgjigjja e kompanive celulare mbi komunikimet telefonike të viktimës dhe të dyshuarit janë një nga provat që hetuesit presin të administrojnë. Po ashtu, kompanive telefonike u është kërkuar të verifikojnë pozicionin e të dyshuarit në momentet e ngjarjes, nëpërmjet telefonit celular që ai përdorte. Gjithashtu, një tjetër arsye përse akuza kërkoi zgjatjen e afatit të paraburgimit edhe me një muaj për të dyshuarin Balliu, është mbledhja e disa dëshmive që mund të hedhin dritë mbi vrasjen e Aleksandër Koliçit. Menjëherë pas krimit dyshimet e para të policisë dhe prokurorisë kanë rënë mbi Balliun, ish-miku i dikurshëm dhe shoku i qelisë së Koliçit në një proces gjyqësor zhvilluar në Gjykatën për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve. Gjatë këtij procesi, Aleksandër Koliçi pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë për të rrëfyer gjithçka dinte mbi funksionimin e grupit të narkotrafikut, i cili përbëhej nga një numër i madh personash, një pjesë e të cilëve është dënuar për trafik narkotikësh. Paraprakisht, policia dyshon se vrasja e Koliçit ka ardhur si hakmarrje për bashkëpunimin me prokurorinë në procesin gjyqësor ku i pandehur ishte dhe autori i dyshuar Bledar Balliu. Sipas hetimeve, rezulton se familjarët e viktimës kanë deklaruar se Aleksandër Koliçi dhe Bledar Balliu kanë pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre. Ky pretendim është mbështetur edhe mbi një provë shkencore, e cila ka të bëjë me një bluzë që policia ka gjetur gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit Balliu, ku janë vërejtur elemente që janë pjesë e faktorëve plotësues të qitjes. Ekspertiza ka gjetur gjurmë bloze në pjesën e përparme të bluzës, çka, sipas akuzës, do të thotë se i arrestuari ka kryer qitje gjatë kohës që ka mbajtur veshur këtë bluzë.

Alibia e Balliut: Nuk jam unë vrasësi

Këto pretendime janë kundërshtuar nga i dyshuari Bledar Balliu, i cili gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë tha se ditën e ngjarjes, përveçse ka qenë në një lokal që është i mbikëqyrur nga kamerat, mbante të veshur këmishë dhe jo bluzën që pretendon përfaqësuesi i akuzës. Bledar Balliu dyshohet si autor i vrasjes së Aleksandër Koliçit, ngjarje kjo e ndodhur më 15 korrik të këtij viti në rrugën “Ymer Kurti” në kryeqytet. Fillimisht Gjykata e Tiranës caktoi ndaj Balliut masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, afat ky që u zgjat ditën e premte me kërkesë të prokurorisë. Balliu dhe Koliçi njihen si dy nga anëtarët e rrjetit të narkotrafikut, të arrestuar gjatë operacionit policor “Poter Al”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›