E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parandalohet vrasja me armë për xhelozi në Tiranë

Denis Demiri kapet me pistoletë në brez, përgatitej për atentat.

Parandalohet vrasja me armë zjarri për xhelozi në Tiranë. Policia e kryeqytetit arriti në kohë të neutralizojë një person që dyshohet se po përgatitej të kryente një vrasje të mundshme pranë Maternitetit të Ri. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se i dyshuari u arrestua në një lokal pranë maternitetit Koço Gliozheni dhe ndodhej në tavolinë bashkë me tre persona të tjerë me precedentë penalë. I dyshuari është Denis Demiri, i cili njihej edhe me emrin Alban Demiri, dhe në momentin e arrestimit iu gjet në brez një pistoletë tip TT me Nr. 8/276-1943, me një krehër me 7 fishekë dhe një në fole. Burime nga grupi hetimor thanë se 37-vjeçari Demiri mbahej në vëzhgim prej një jave nga policia, pas një konflikti fizik të ndodhur në Kinostudio me shtetasin me iniciale F. M., për motive xhelozie. Policia ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes një javë më parë dhe i ka shoqëruar të dyja palët në Komisariatin Nr. 4, duke u njohur edhe me problemet e tyre. Për këtë arsye, duke mbajtur në vëzhgim Denis Demirin pas incidentit, u bë e mundur që të parandalohej edhe një vrasje e mundshme që ai dyshohet se ishte duke u përgatitur ta kryente. Burime nga grupi hetimor thanë se nga verifikimet dhe vëzhgimet e kryera në rrugë operacionale ishin siguruar të dhëna të sakta se krimi mund të ndodhte mesnatën e kaluar. Gjithashtu Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se i arrestuari Demiri është person me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentative, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Arrestimi u bë mbi bazën e informacioneve të besueshme se ky shtetas po përgatitej të kryente vrasjen e shtetasit F. A., banues në Kinostudio, Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie të ndodhur ndërmjet tyre disa ditë më parë. Konkretisht, shtetasi Denis (Alban) Demiri u kap rreth orës 22:00 të së dielës me një armë zjarri në brez, të mbushur me fishekë gati për qitje, ndërsa arrestimi i tij u krye rreth orës 02:00, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së kryeqytetit.

Konflikti
Policia e kryeqytetit ka marrë informacion për konfliktin mes të arrestuarit Denis Demiri dhe personit tjetër rreth dy javë më parë. Në këtë kohë, pas një konflikti, 37-vjeçari ka pasur një përleshje me shtetasin me iniciale F. M. Shkak i mosmarrëveshjes ka qenë xhelozia për partneren e të arrestuarit. Nisur nga ky shkak, agjentët e Policisë janë porositur që të mbajnë në vëzhgim Denis Demirin pasi kishte informacion se ai lëvizte me armë dhe mund të vazhdonte përsëri konfliktin me personin tjetër. Uniformat blu janë vënë në ndjekje të të dyshuarit derisa dje kanë bërë ndalimin e tij para kryerjes së vrasjes së dyshohet se do të ndodhte ditën e djeshme.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›