E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinas, bie në pranga ish-zyrtari i Pronave

Aeroporti i Rinasit

Policia e Rinasit arreston ish-juristin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili ishte shpallur në kërkim prej dy muajsh, pasi akuzohej për tjetërsim pronash në bregdetin e Kavajës. Altin Cemi, i cili në janar të këtij viti mori masën e sigurisë në mungesë arrest me burg kur u arrestuan 5 zyrtarë të tjerë të AKKP-së, u arrestua në aeroportin Nënë Tereza në momentin që u kthye nga Greqia. Ish-juristi Ceni akuzohet se ka ndryshuar klasifikimin e një sipërfaqeje toke prej 79 dynymësh, e ndodhur në Gosë të Kavajës, pronë kjo që i përket familjes Jenisheri. Prona prej 79 hektarësh që i përket familjes ish-pronare Janisheri nga Gosa, është shtuar si sipërfaqe, por edhe është ndryshuar nëpërmjet dokumenteve false në planin e vendndodhjes si pronë dhe është zhvendosur në bregdet. Gjatë hetimeve të kryera nga oficerët e Antikorrupsionit dhe Njësia Task-Forcë, është zbuluar tentativa e vjedhjes së pronës që realisht është truall bujqësor, duke e spostuar në një vend ku ka vetëm rërë në bregun e detit. Gjatë operacionit të Policisë së Tiranës Prona e spostuar, kryer më 11 janar 2012, u bë i mundur arrestimi i 5 personave dhe shpallja në kërkim e ish-juristit të AKKP-së, Altin Ceni. Gjatë këtij aksioni u arrestuan: ish-drejtori i AKKP, Bledar Dervishaj, ish-përgjegjësi i sektorit juridik, Ali Aliaj, si dhe topografët, Dhimitër Papa, Merita Gjinali dhe Njazi Ademi. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjashtë të arrestuarit akuzohen nga policia se me anë të dokumenteve të falsifikuara kanë kryer tjetërsim prone për familjen Janisheri nga Gosa e Kavajës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›