E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikime ne renie per Eurozonen

Pas dhënies masive të likuiditetit bankave europiane BQE ka menduar sërish t’i mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit në nivelin minimal të 1%. Pas mbledhjes së bordit drejtues të bankës kreu i saj, Mario Draghi ka folur për sinjale të stabilizimit në eurozonë, por  parashikimet shfaqen ende të dobëta.Sipas parashikimeve të institutit të Frankfurtit për vitin 2012, ekonomia e Eurozonës do të ketë një rimëkëmbje graduale ndërkohë që për vitin e ardhshëm pritet sipas bankës qëndrore të jetë më e lartë. Çmimet e konsumit do të mbeten mbi nivelin e 2% gjatë 2012-ës, parashikojmë presione në rritje të inflacionit. Por do të bëjmë gjithcka  për të mbajtur brenda perspektivave inflacioniste. Inflacioni mbi 2%  lidhet me rritjen e cmimeve energjitike. Gjatë këtij viti norma e inflacionit do të qëndrojë mes 2,1% dhe 2,7% kundrejt parashikimeve të mëparshme. Kjo do të kufizojë aftësitë e bankës për të bërë lëvizje akomoduese për cështje të politikës monetare. Lidhur me furnizimin maksimal me likuiditet të instituteve europiane efektet kanë qenë pozitive, ka shtuar Draghi, por këto masa, ka thënë ai, do të jenë të përkohshme. Ky veprim i bankës qëndrore  do të ndikojë në stabilizimin e tregjeve financiare dhe mbi të gjitha mbi kredidhënien. Por tani, ka thënë Draghi, radha është e qeverive dhe aktorëve të tjerë, kryesisht bankave të cilët duhet të vijojnë me reformat dhe të risistemojnë bilancet. Shumë qeveri të Eurozonës kanë bërë progrese në konsolidimin e llogarive publike dhe reformat strukturore ka thënë ai. Presidenti i institutit më të lartë financiar të Europës është shprehur optimist mbi funksionimin e paktit fiskal. "Kam shumë besim se aktivizimi i paktit fiskal do të japw rezultatet e duhura dhe do të funksionojë. Bashkimi monetar ka nevojë që të gjitha vendet të shfaqin dëshirën për të qenë subjekt i një rregulli që nuk mund të ndryshohet nga çdo qeveri. Nuk mund të quhemi të bashkuar nëse nuk mund të respektojmë rregulla të përbashkëta, siç janë ato të paktit, të cilat janë shtyllat e besimit për bashkimin monetar", ka përfunduar Draghi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›