Parashikimi i Canës: Fitojmë 1-0
Jetmir Halilaj
"Fitojmë 1-0 dhe e lëmë pas Hungarinë". Ky është parashikimi i Lorik Canës, mesfushorit të Kombëtares shqiptare. Në një deklaratë të dhënë për "Panorama Sport", ai ka thënë se është mëkat që Shqipëria të mos fitojë në mbrëmjen e sotme. "Skuadra është në një gjendje të shkëlqyer. Do të ishte mëkat të mos fitonim sot. Rezultati? Kam një parandjenjë se fitojmë 1-0", ka thënë mesfushori. Canës i dalin shpesh parashikimet. Para ndeshjes me Suedinë, ai deklaroi se takimi do të përfundonte 0-0 dhe në fakt ashtu ndodhi. Kapiteni i Olimpik Marsejës, Lorik Cana, e vlerëson shumë të rëndësishme përballjen me Hungarinë, të shtunën mbrëma (20:30) në "Qemal Stafa" të Tiranës, ndeshje kjo e vlefshme për eliminatoret e botërorit "Afrika e Jugut 2010". Mesfushori Cana pohon se me fitore ndaj Hungarisë do të arriheshin dy qëllime: hakmarrja ndaj hungarezëve për disfatën e fundvitit të kaluar në Budapest (2-0) dhe përmirësimi i gabimit të bërë në ndeshje kundër Maltës muajin e shkuar, ku barazuan pa gola. "Në këtë ndeshje duam vetëm fitoren dhe do të marrim hak për atë humbjen që na e shkaktuan në Budapest", ka thënë Cana. "Do të mbuloheshin edhe 'plagët' e Maltës". Cana në ndeshje me Hungarinë pret të aktivizohet në rolin e qendërmbrojtësit. Kështu ka paralajmëruar seleksionuesi Arie Han, të enjten në një konferencë për media. "Kjo është një zgjidhje e trajnerit që unë do ta respektoj, edhe pse më shumë do të jepja në mesfushë", ka vlerësuar Cana. Kombëtarja përballet jo pa probleme ndaj Hungarisë, pasi të enjten u dëmtua portieri i parë, Arian Beqaj. Ai ndrydhi krahun dhe do të mungojë edhe kundër Danimarkës në Kopenhagën. "Beqaj do të jetë një mungesë e madhe për ne dhe jemi të mërzitur që pikërisht në këto momente nuk do të jetë me ne", ka komentuar Cana. Partner i Canës në qendër të mbrojtjes pritet të jetë Debatik Curri. Edhe ai shpreson në fitore. "Do ta kërkojmë gjithsesi fitoren dhe këtë duhet ta bëjmë duke sulmuar më shumë", ka thënë Curri. Cana dhe Altin Lala munguan në ndeshjen e fundit kundër Maltës për shkak të lëndimeve. Mungesa e tyre shkaktoi probleme. Tani të dy do të jenë në dispozicion të Hanit. "Ka kaluar koha e rikuperimit, tani jam në rregull dhe do të luftojmë për të marrë të tri pikët, sepse brenda fushës tonë nuk na falen më gabimet", ka deklaruar Lala. Fitore ka paralajmëruar edhe trajneri holandez Ari Han. Ai pret që kundër Hungarisë kuqezinjtë të shfaqin më të mirën e tyre. Shqipëria pas pesë ndeshjeve kualifikuese në kuadër të Grupit 1 ka fituar gjashtë pikë: ka një fitore, tri barazime dhe një humbje. Humbjen më të thellë, Kombëtares shqiptare ia ka shkaktuar pikërisht Hungaria. Më 24 shtator 1950, Hungaria pati mposhtur Shqipërinë 12-0 në një miqësore të zhvilluar në Budapest.