E Diel, 1 Nëntor 2026

Gilman Lika tani flet si titullar: E dua fitoren

 

Gilman Lika, ky emër premtues i futbollit shqiptar, do të japë kundër Hungarisë akoma më shumë se çfarë dha ndaj Maltës. "Jemi të dënuar të fitojmë, pasi në rast të kundërt edhe kësaj here do t'i shuanim ëndrrat për të shkuar në Botëror. Unë jam i mendimit që, derisa matematika na jep shanse, nuk kemi pse të dorëzohemi para kohe. Dua ta harroj atë zhgënjim të hidhur që pata ndaj Maltës dhe kam bindjen se fitorja kundër Hungarisë është mënyra e vetme për ta arritur këtë", tha shkodrani i Superligës turke. Në ndeshjen e La Valetës kundër Maltës, Gilman Lika ishte ngushëllimi i vetëm i Shqipërisë, kjo për faktin e thjeshtë se kuqezinjtë lanë dy pikë, por fituan në gjirin e tyre një mesfushor klasi. Gilmani 22-vjeçar ka befasuar stafin holandez me përgatitjen që ka treguar, duke marrë komplimentet e drejtpërdrejta të trajnerit Ari Han. Por mesfushori qëndron me këmbë në tokë, ndërsa shprehet se "do të japë gjithçka për fanellën e shenjtë të përfaqësueses dhe se ndihet një lojtar normal si gjithë të tjerët". Ai do me çdo kusht të mbajë gjallë ëndrrën që quhet "Botërori afrikano-jugor". "Nuk e di nëse do luaj, por jam i gatshëm të jap të shtunën 100% të rendimentit tim". Gilman Lika shprehet se po luan me gjithë shpirt për skuadrën e tij të Haxhetepesë, por punët në klub nuk janë mirë. Skuadra është e kërcënuar nga rënia në ligën inferiore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›