Rudi Vata: Shqipëria U-21 mund ta thyejë Skocinë
Ish-ylli i Selltikut dhe i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka paralajmëruar ekipin e Skocisë U-21 që të mos nënvlerësojë kundërshtarët, pasi Shqipëria ka në përbërjen e saj disa lojtarë që mund t’i tronditë shpresat e tyre për kualifikim në finalet e Evropianit 2011. Ish-mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi ka dhënë një deklaratë për uebsajtin “setanta.com” në lidhje me ndeshjen e parë të Skocisë në këto eliminatore dhe, sipas Vatës, skuadra e drejtuar nga Artan Bushati do të hasë probleme në aspektin fizik të shtunën, pasi vuan në këtë drejtim. “Do të jetë një përballje midis dy shkollave të ndryshme të futbollit, - shpjegoi Vata. – Ne shqiptarëve na pëlqen të bazohemi te loja teknike, pasi kemi lojtarë shumë të talentuar në këtë drejtim, por që kanë mangësi në aspektin fizik, e kësisoj mund të shfaqin dobësi gjatë ndeshjes. Gjithsesi, Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka disa lojtarë, të cilët janë stabilizuar ndërkohë në klube të ndryshme të Evropës dhe unë besoj se ata lojtarë me eksperiencën dhe aftësitë e tyre mund t’i krijojnë probleme serioze Skocisë e t’i shkaktojnë ndonjë surprizë”. Ndërkaq, Vata ka bërë një deklaratë befasuese përsa i përket shpresave të Shqipërisë për t’u kualifikuar në Grupin 10, ku përfshihet gjithashtu edhe Austria e Bjellorusia. Vata u shpreh: “Ata janë në një grup shumë të vështirë, por nuk dëgjohet asnjë koment nga trajneri apo nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit për objektivat që duan të arrijnë. Kështu që në opinionin tim, Shqipëria thjesht ka si synim në këtë kompeticion marrjen pjesë në garë dhe kaq. Ata kanë disa lojtarë shumë të mirë, mirëpo ata (FSHF-ja) duhet të shfaqin besim te këta lojtarë, sepse ekziston mundësia për të arritur shumë gjëra të mira”.