E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikoi vdekjen e Chavezit, arratiset nga vendi

Një mjek i cili parashikoi se udhëheqësi i Venezuelës, Hugo Chavez, ka vetëm dy vjet për të jetuar, është larguar nga vendi nga frika prej hakmarrjes.

Burime pranë familjes bënë me dije se policia vizitoi doktorin Salvador Navarrete në zyrën e tij, pasi ai u shpreh për një media ndërkombëtare se me formën aq agresive të tumorit që kishte prekur liderin e vendit, kishte pak gjasa që ai t’i mbijetonte për shumë kohë sëmundjes.

Ditën e enjte, Venezuela i rezervoi një pritje të bujshme Chavezit, i cili u kthye nga Kuba, ku është trajtuar me katër seanca kimioterapie dhe ku i është nënshtruar një operacioni. 57-vjeçari deklaroi se sëmundja është kaluar tërësisht dhe se analizat dëshmojnë një shëndet të plotë.

“Jam mirë, jam gjallë dhe kam ndërmend të vazhdoj të jetoj për shumë kohë. Nuk kam asnjë dyshim që do të paraqitem në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, deklaroi Chavez.

Navarette ka pasur informacione të detajuara rreth kartelës klinike të presidentit autoritar të Venezuelës, pasi e ka kuruar dhjetë vjet më parë dhe që prej atëherë ka qenë një prej anëtarëve të personelit mjekësor që kujdeset për Chavez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›