Greqi, 37-vjçari shqiptar djeg veten me benzinë
Pas ndarjes nga e dashura ai është lagur me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes. E shpëtojnë zjarrfikësit
GREQI- Një 37- vjeçar shqiptar ka tentuar dje të vrasë veten në fshatin Statheika të prefekturës Argos në Greqi. Burimet e policisë greke pohuan seviktima, emri i të cilit nuk bëhet publik, është mbyllur në makinën e tij dhe ka lyer trupin me benzinë. Ai ka qëndruar disa minuta në këtë gjendje dhe më pas ka nxjerrë një çakmak e i ka vënë flakën vetes. Makina në flakë është parë nga kalimtarët e rastit por për fatin e tij të mirë aty pranë ka kaluar krejt rastësisht një zjarrfikëse. Të drejtuar edhe nga kalimtarët, zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë për të shpëtuar situatën. Burimet nga vendi i ngjarjes pohuan se zjarrfikësit kanë hapur makinën dhe kanë nxjerrë shqiptarin jashtë saj. Atij i është shuar flaka që kishte në trup dhe është dërguar me urgjencë në spital pasi gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rëndë. Burime nga spitali pohuan se 37 -vjeçari nga Shqipëria kishte pësuar djegie të shkallës së tretë në pothuajse të gjithë trupin. Ai është ende në rrezik serioz për jetën. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, shtetasi shqiptar ka tentuar të vrasë veten pasi ishte ndarë nga e dashura. Ajo kishte refuzuar të gjitha kërkesat e tij për tu bashkuar dhe djali kishte rënë në depresion. Në këto kushte ai ka vendosur dje që t'i japë fund jetës duke u vetëdjegur me benzinë.