E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhërmi, dëmtohet kisha e Shën Pandeliut

 
Banorët e fshatit: Dëgjuam një shpërthim të fortë, kishën e kanë dëmtuar qëllimisht me eksploziv
Policia: Dëmtimi i mureve brenda e jashtë kishës është pasojë e shkarkesës së rrufesë në shtyllën e tensionit
Vlorë-Dëmtohet kisha e Shën Pandeliut në fshatin Iliaz të Dhërmiut. Banorët e zonës dëshmojnë se kanë ndjerë natën e së enjtes një shpërthim të fortë, që ka sjellë për pasojë dëmtimin e kishës bashkë me ikonat brenda saj. Ndërkohë burimet policore sqarojnë se gjithçka erdhi pas shkarkimit të një rrufeje në shtyllën e tensionit, ngjitur me kishën dhe jo si pasojë e ndonjë vendosjeje eksplozivi. Version, që për banorët është i papranueshëm.
***
Kisha e vjetër dhe karakteristike e Shën Pandeliut ndodhet 2 orë larg Dhërmiut. Por megjithë largësinë, banorët pranojnë se ajo është shumë e frekuentuar. Mëngjesin e djeshëm, kur prifti ka shkuar si zakonisht ka konstatuar dëmtime të shumta në pjesën e jashtme të saj dhe ka mbetur i befasuar edhe kur ka hyrë brenda. Sipas denoncimit të tij,muret e kishës kanë qenë të çara dhe shumë prej ikonave ishin dëmtuar rëndë. "Kisha u restaurua në vitin 2002 dhe për të u bë një punë shumë e mirë, por tani është dëmtuar dhe kjo është e turpshme",- thonë fshatarët e zonës. Ata dëshmojnë të gjithë se kanë ndjerë shpërthim të fortë rreth orës 04.00, duke u gdhirë dita e djeshme dhe pas kësaj, vetëm gjatë mëngjesit kanë parë rastësisht se shpërthimi kishte ndodhur në kishë.
***
Sipas banorëve dëmtimi ka ardhur nga vendosja e ndonjë lënde plasëse. "Është vënë lëndë plasëse, pasi edhe zhurma që u dëgjua ishte e fortë, tamam si shpërthim. Pastaj, shikoni edhe dëmtimet",- thonë banorët. Sipas tyre, nëse kjo është e vërtetë, atëherë veprimi është shumë i ulët, i turpshëm dhe fyes. Madje, arrijnë edhe ta quajnë akt terrorist, pasi askund nuk është parë të hidhen në erë kishat.
***
Por krejt ndryshe thotë policia. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Dhërmiut, sqarohet se dëmtimi i kishës nuk ka ndodhur nga një vendosje e ndonjë lënde eksplozive. "Ka qenë një shkarkim i rrufeve duke pasur parasysh dhe kohën shumë të keqe që ka bërë këto ditë në Dhërmi",- thonë burimet policore. Mbështetur në raportin e ekspertëve, shkarkimi natyror i rrufesë ka ndodhur në shtyllën e tensionit, që është në murin rrethues të kishës, duke u shpërndarë më pas në tërë kishën, brenda e jashtë saj. Forca, sipas policisë ka qenë e madhe, aq sa dëmtimi ka qenë thuajse shkatërrues për kishën. Pas kësaj, banorët janë shprehur të revoltuar, duke mos e pranuar versionin e policisë. Ata shprehen të sigurt se kisha është dëmtuar qëllimisht. Kisha frekuentohet kryesisht të shtunave e të dielave, ndërkohë për bukurinë e saj dhe zonën e thellë ku është vendosur ka tërhequr edhe shumë vizitorë të huaj. Në zonën e Dhërmiut, sipas statistikave numërohen rreth 25 kisha, ndërtuar vite e vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›