E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, shkrumbohet banesa në Shkodër

Shkodër-Energjia elektrike mendohet të jetë shkaku i një zjarri të rënë në banesën e shtetasit Lulzim Pjetri, në lagjen "Tre Heronjtë", në afërsi të stacionit të trenit në Shkodër. Ka qenë ora 01.00 e natës, kur në banesën, ku jetojnë 6 persona është shkaktuar qark i shkurtër, fill pas ardhjes së energjisë. Familjarët kanë lajmëruar zjarrfikëset dhe kanë dalë jashtë, ndërsa janë përpjekur ta shuajnë zjarrin me mjete rrethanore. Brenda bodrumit ka pasur lëndë drusore dhe pajisje që nuk përdoreshin nga familja, të cilatkanë favorizuar përhapjen e zjarrit. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikëseve ka bërë të mundur lokalizimin e zjarrit, duke mos lejuar që ai të përhapet në pjesën tjetër të banesës dhe më pas shuarjen e tij. Gjatë përpjekjeve për të dalë nga banesa, bodrumi i së cilës kishte marrë zjarr, një pjesëtar i familjes, fëmijë 9-vjeç ka mbetur i izoluar përkohësisht nga tymi që ka përfshitë gjithë shtëpinë. Kanë qenë zjarrfikësit që e kanë nxjerrë jashtë pa pësuar dëmtime në shëndet. Ndërsa në fshatin Gur i Zi, po nga energjia elektrike ka marrë zjarr një barakë, e cila shërbente si magazine sendesh të ndryshme. Për fat nuk ka pasur dëmtime të shumta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›