E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e emigrantëve, transfertë falas me postë

Autori i Lajmit: red.
Emigrantët do të mund t u dërgojnë familjarëve të tyre para falas pa asnjë kosto për shërbimin e kryer. Ky shërbim që ofrohet nga Posta Shqiptare do të jetë në funksion deri më datën 5 janar 2009. “Me rastin e festave të fundvitit, Posta Shqiptare, duke filluar që nga data 20 e këtij muaji e deri më 5 janar 2009, do të ofrojë falas çdo transfertë elektronike parash nga Shqipëria për jashtë vendit. Që prej disa kohësh Posta Shqiptare është anëtare e rrjetit “Eurogiro” të transfertave elektronike të parave me çmime mjaft konkurruese për tregun shqiptar. Nevoja për të kryer një transfertë ndërkombëtare të parave tashmë është më e lehtë dhe kjo mundësohet nga kompania jonë”, - theksojnë burime nga Posta Shqiptare. Falë marrëveshjeve të nënshkruara dy vitet e fundit, njëra me rrjetin ndërkombëtar “Eurogiro” dhe tjetra me Bankën Amerikane të Shqipërisë, emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës do të mund të kenë mundësi të transferojnë paratë e tyre tek të afërmit në Shqipëri falas për një periudhë të caktuar kohe (me rastin e festave të fundvitit). Madje, kryerja e transfertave elektronike të parave kryhet nga kompania Posta Shqiptare jo vetëm me siguri, por edhe me shpejtësi deri në zonat e thella të vendit me anë të shtrirjes gjeografike prej 550 zyrash postare. Burime nga Posta Shqiptare theksojnë se “Eurogiro” është një nga rrjetet më të gjera globale të pagesave ndërmjet administratave postare, bankave tregtare dhe institucioneve të tjera financiare për transfertat e pagesave me kosto të ulët. Posta Shqiptare ka menduar kryesisht për komunitetin shqiptar që jeton jashtë vendit dhe që kthehen për të festuar Krishtlindjet apo Vitin e Ri. Që nga data 20 dhjetor ata do të mund të dërgojnë falas para, familjarëve apo të afërmve të tyre me Postën Shqiptare. Ky shërbim është i vlefshëm vetëm për 16 ditë deri më 5 janar 2009. Ofrimi i tij është një akses i mirë për të gjithë komunitetin shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë, duke shfrytëzuar rrjetin e gjerë dhe të dendur të 660 mijë zyrave postare kudo në botë, madje, edhe për ata që nuk kanë akses në shërbimin bankar. Nga ana tjetër, si pjesë e planit kombëtar të veprimit për dërgesat në para të emigrantëve, Posta Shqiptare pretendon cilësi të lartë pagesash me kosto të ulët dhe plotësim të nevojave në rritje të klientelës së saj. Shtetet me të cilat shkëmbehen transfertat janë: Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, Turqi, Austri.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›