E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen fituesit për “Çmimi i Guvernatorit 2008”

Autori i Lajmit: red.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me rastin e mbylljes së vitit, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe medias elektronike. Ky takim u organizua në vijim të dialogut intensiv dhe të vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë ndërton dhe zhvillon me tregun financiar dhe grupe të ndryshme interesi, ndër të cilët një vend kryesor zë dhe media. Guvernatori, në fjalën e tij, ka bërë një ekspoze të zhvillimeve ekonomike të ndodhura gjatë këtij viti dhe punës së bërë nga Banka e Shqipërisë në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe të qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka falënderuar të pranishmit për qëndrimet, analizat dhe vlerësimet e deritashme në shtyp. Ai shprehu besimin e tij se edhe në të ardhmen analiza dhe komentet e opinionistëve do të vazhdojnë të jenë objektive dhe realiste. Media nëpërmjet mesazheve të saj ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të besimit publik mbi infrastrukturën dhe institucionet financiare të vendit”, – u shpreh guvernatori Fullani në fjalën e tij. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu, evidentoi disa prej projekteve madhore, ku Banka e Shqipërisë u përfshi në mënyrë intensive gjatë vitit 2008, disa prej të cilave do të materializohen përfundimisht në vitet në vijim. Më konkretisht, bëhet fjalë për:
 emetimin në ditët që vijnë të kartëmonedhës së re me vlerë nominale 2000 Lekë;
 përfundimin e projektit për rikonstruksionin e godinës ekzistuese të Bankës së Shqipërisë dhe ndërtimin e pjesës së re të saj;
 ndërtimin e qendrës së re të përpunimit të parasë në zonën periferike të qytetit të Tiranës; si dhe
 përfundimin shumë shpejt të rikonstruksionit të qendrës së trajnimit të Bankës së Shqipërisë në zonën karakteristike të qytetit të Beratit.
Kartëmonedha e re 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim së shpejti dhe do të përmirësojë strukturën aktuale të serisë së kartëmonedhave që janë në qarkullim, duke plotësuar boshllëkun aktual midis prerjes 1000 Lekë dhe asaj 5000 Lekë. Kartëmonedha e re, përputh më së miri strukturën aktuale të kartëmonedhave në Shqipëri me strukturën e Eurozonës, ndërkohë që ajo merr në konsideratë edhe diferencat në të ardhurat mes dy ekonomive. Në përfundim të këtij takimi, Guvernatori Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, për vitin 2008. Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e shumta të ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme:

• Çmimi i parë: Valer Zaho, student në Universitetin “Middlesex Business School”, me temën “Efikasiteti dhe rritja e produktivitetit të bankave shqiptare nga 1996-2006”.
• Çmimi i dytë: Arens Arbana, student në Universitetin “La Sapienza”, Romë, me temën e masterit “Indeksi i çmimit të konsumatorit: Analizë e serisë historike në Shqipëri”.
• Çmimi i tretë: Leon Petani, student në Universitetin “Dokuz Eylul” në Turqi, me temën e masterit “Hyrja e bankave të huaja në sistemin bankar të vendeve në tranzicion: Rasti i Shqipërisë”.
Dhënia e këtij çmimi, e cila tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›