E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e fushatës, Kolegji fal partitë e vogla

PSD, PDS, PAA dhe PAD "shpëtohen" nga Kolegji Zgjedhor. Nuk do të kthejnë asnjë qindarkës KQZ-së. Ndëshkohet vetëm PDK-ja


TIRANË- Partitë e vogla, që në zgjedhjet e shkuara parlamentare përfituan para nga buxheti i shtetit dhe nuk mundën të marrin asnjë mandat deputeti, ia kanë hedhur paq, pasi nuk do të kthejnë asnjë lekë në arkën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.


Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit ka "falur" Partinë Socialdemokrate, Partinë Demokracia Sociale, Partinë Agrare Ambientaliste dhe Partinë Aleanca Demokratike, duke rrëzuar vendimin numër 606 të KQZ-së, sipas të cilit, në bazë të Kodit Zgjedhor këto parti duhet të kthenin atë pjesë të lekëve të përfituara nga fondi publik sipas përqindjes së votave që ato kishin siguruar në zgjedhjet pararendëse.


Ndërkohë e vetmja parti, që nuk ka përfituar nga ky vendim i Kolegjit Zgjedhor është PDK-ja, e cila duhet t'i kthejë KQZ-së 1,315,153 leke.


Vendimi


Me kërkesë të Partisë Socialdemokrate, Kolegji Zgjedhor, që funksionon pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës ka marrë në shqyrtim vendimin 606 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili detyronte pesë partitë politike, që kishin marrë lekë nga buxheti i shtetit për zgjedhjet dhe pas garës rezultuan se nuk kishin fituar asnjë mandat deputeti, të kthenin shumën në vlerën 12,728,006 në total.


Sipas ankimimit të paraqitur nga socialdemokratët, 4 prej këtyre partive, PSD-ja, PDS-ja, PAD-ja dhe PAA-ja nuk duhet të bëheshin objekt i këtij vendimi, pasi ato, pavarësisht se nuk kanë asnjë përfaqësues në Kuvendin e ri, me votat e tyre kontribuuan në mandatet që morën koalicionet përkatëse.


Pra thënë ndryshe, socialdemokratët pretendonin në kërkesë se votat e tyre së bashku me votat e partive të tjera me të cilat ishin në koalicion, kanë prodhuar mandat dhe për këtë arsye ato nuk duhet të trajtoheshin sipas nenit 87 pika 3 e Kodit Zgjedhor i cili sanksionon se "partia që ka përfituar fonde publike, sipas shkronjës "b" të pikës 2 të këtij neni dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar".


Një argument i tillë u përdor edhe nga përfaqësuesi i PSD-së në KQZ, Pandeli Varfi, gjatë miratimit të këtij vendimi nga ky komision gjatë muajit shtator, argument i cili në përfundim nuk u mor parasysh.


Por duket se një logjikë e tillë ka gjetur mbështetje nga Gjykata zgjedhore, e cila nga ana e saj ka vendosur të rrëzojë vendimin e KQZ-së si në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Megjithatë siç mësohet nga burime pranë KQZ-së, ky institucion është njohur vetëm me verdiktin e Kolegjit, por jo me vendimin e argumentuar të kësaj gjykate.


Por duke u nisur nga objekti i kërkesës së PSD-së, dhe kur dihet që gjykata shqyrton vetëm ato argumente, që paraqiten në kërkesë, nuk është e vështirë të kuptohet dhe vendimi i këtij kolegji.


Nga ky vendim duket se nuk do të përfitojnë vetëm demokristianët e Nard Ndokës, të cilët ndryshe nga 4 subjektet e tjera zgjedhore, pra PSD-ja, PDS-ja, PAA-ja dhe PAD-ja, ishte pjesë e një koalicioni, që nuk morr asnjë mandat. Kështu, PDK-ja do të duhet të kthejë në KQZ rreth 1.3 milionë lekë të reja, të përfituara këto prej saj në bazë të votave që kishte marrë në zgjedhjet e 2005.


Të mëdhenjtë


Por vendimi i Kolegjit Zgjedhor ndërsa favorizon partitë e vogla, nga ana tjetër penalizon partitë që sot përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pasi sipas nenit 87 pika 5 e Kodit Zgjedhor, shuma që do të duhet të kthenin partitë e vogla jo parlamentare do tu shpërndaheshin partive që në zgjedhjet e 28 qershorit morën të paktën një deputetë.


Pra, e gjithë shuma prej 12.7 lekësh që sipas vendimit të KQZ-së duhet të kthenin partitë e vogla, do tu kthehej 6 subjekteve të tjera që sot ndodhen në Kuvend, në raport me numrin e deputetëve që ato kanë marrë.


Tashmë këto 6 forca do të duhet të ndajnë mes tyre një shumë fare të papërfillshme me vlerë prej 1.3 milionë lekësh, që ka si detyrim për të kthyer Partia Demokristiane. Në rast se kjo forcë nuk pranon të kthejë këtë detyrim, atëherë KQZ-ja referuar kodit duhet t'i kompensojë forcat parlamentare me lekët, që do të merren nga Buxheti i Shtetit.


Partitë dhe vlerat në lekë që ato duhet të kthenin sipas vendimit të KQZ-së

Partia Social Demokrate 5,136,667 leke
Partia Agrare Ambientaliste 2,644,556 leke
Partia Aleanca Demokratike 1,920,479 leke
Partia Demokracia Sociale 1,711,151 leke
Partia Demokristiane 1,315,153 leke

Partitë dhe vlerat që duhet të përfitonin partitë parlamentare si kompensim

Partia Demokratike e Shqipërisë 6,182,174 leke
Partia Socialiste e Shqipërisë 5,909,431 leke
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 363,657 leke
Partia për Drejtësi dhe Integrim 90,914 leke
Partia Republikane 90,914 leke
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 90,914 leke


Neni 87 i Kodit Zgjedhor
Shpërndarja dhe rishpërndarja e fondeve publike për subjektet zgjedhore


2. Pika b) 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse.


3. Partia që ka përfituar fonde publike, sipas shkronjës "b" të pikës 2 të këtij neni dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së.


Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t'i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t'i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së.


4. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse sipas pikës 3 të këtij neni, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.


5. Fondet e kthyera, sipas pikës 3 të këtij neni, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike, të cilat kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës.


Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
6. Në rast se fondi, sipas pikës 4 të këtij neni, nuk është kthyer plotësisht nga subjektet zgjedhore, ky fond i kompensohet KQZ-së nga buxheti i shtetit.

*******************************


Idrizi- Muhedinit: Eja në PDU


TIRANË- Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i ka bërë thirrje kreut të Partisë Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedinit, për t'iu bashkuar partisë së tij, në emër të çështjes çame.


Gjatë një takimi me përkrahësit e partisë së tij në Delvinë, Idrizi theksoi se këto dy parti kanë në objektivin e tyre, çështjen çame dhe për këtë duhet të bashkohen. "Gjej rastin që nga kjo tribunë t'i bëj një thirrje publike, Tahir Muhedinit që të bashkohemi.


Ato që na ndajnë janë shumë të vogla përpara idealit të madh, amanetit të të parëve që duhet të na bashkojë. Le të bashkojmë mendjet, zemrat, forcat për hir të Çamërisë sonë, gjakut e vuajtjeve të të parëve tanë.


Unë jam i bindur që ai do t'i përgjigjet kësaj thirrje dhe shumë shpejt do të jemi bashkë," - tha dje Idrizi. Kreu i PDU-së, vuri në dukje se e majta dhe e djathta politike shqiptare ka 20 vjet që merret me çështjen çame dhe nuk ka zgjidhur asgjë deri më tani.


Për këtë arsye, sipas tij, partia që ai drejton, nuk mund të presë më dhe, sipas tij, të majtë dhe të djathtë duhet të bashkohen në zgjidhjen e kësaj çështjeje. "Ne do të punojmë pa u lodhur që Komuniteti jonë të bashkohet rreth PDU-së, si mbrojtëse e interesave te tyre. E majta dhe e djathta kanë shumë çështje për tu marrë e për të zgjidhur.


Ne kemi 20 vjet që presim zgjidhje. Sigurisht që i falenderojmë për ndonjë përparim të bërë. Por, ne nuk presim më. Unë, ju ftoj që nëpërmjet PDU-së, ne ta marrim vetë fatin tonë në dorë, të majtë e të djathtë të bashkohemi për kauzën tonë të përbashkët," - u shpreh më tej Idrizi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›