E Diel, 1 Nëntor 2026

Paratë e fushatës, tani me 0.5% të votave

27/01/2012  Ndalohet nxjerrja e nxënësve dhe përdorimi i administratës në fushatë

Mjaftojnë diçka më pak se dhjetë mijë vota që të përfitohet nga buxheti

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka rënë dakord për ndryshimin e së paku dy neneve që kanë të bëjnë me financimin e partive dhe shfrytëzimin e administratës në fushatë zgjedhore. Bëhet fjalë për nenet 87/3 të ligjit si dhe nenin 88 të tij. Në nenin 87/3 është ndryshuar pika B e tij, e cila përcaktonte se nga buxheti i shtetit në fushatë kishin të drejtë të përfitonin partitë që kishin marrë jo më pak se dy vende në parlament. Me ndryshimet që i janë bërë ligjit tashmë fonde mund të marrë cilado parti që kalon pragun 0.5 për qind të votave, ose në bazë të numrit të zgjedhësve ai subjekt politik që në zgjedhjet e përgjithshme merr diçka më pak se dhjetë mijë vota në rang vendi, pavarësisht se kjo nuk është e mjaftueshme për të pasur një karrige në Kuvend. “KQZ-ja brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme. Duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se 0.5% të votave në shkallë vendi", - thuhet në draftin e miratuar paraprakisht. Pra, çdo parti që arrin të marrë diçka më pak se 10 mijë vota, mund të përfitojë nga buxheti i shtetit në fushatë elektorale.

Administrata dhe shkollat

Por ndryshime kanë ndodhur dhe në nenin 88 të kodit zgjedhor dhe që ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të burimeve në fushatë, sidomos nga strukturat e pushtetit qendror dhe atij lokal. Kështu, tashmë ndalohet me ligj nxjerrja e detyruar dhe pjesëmarrja aktive në fushatë zgjedhore të administratës publike, brenda orarit zyrtar, si dhe përdorimi i detyruar i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda orarit mësimor për këtë qëllim. Po ashtu në nenin 88 të Kodit shtohet se "gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi ose lëvizja në detyrë në institucionet publike". Ndryshimet në fjalë kanë si qëllim të frenojnë ose parandalojnë fenomene të tilla, që i kemi vënë re dhe në zgjedhjet paraardhëse. Jo pak herë ka ndodhur që automjetet e administratës qendrore dhe vendore të vihen në dispozicion të subjektit politik që ka zgjedhur kryetarin. Gjithashtu përdorimi i nxënësve në fushatë ka qenë një tjetër fenomen i vërejtur, sidomos në fushatën e vitit 2009, ku drejtorë shkollash organizonin në grup nxënësit për t’i nxjerrë në mitingjet e partive politike. Më shumë se një herë kjo çështje është bërë objekt debatesh në Kuvend, por asnjëherë s’është marrë masë për organizatorët e tyre. Në fakt, as ndryshimet në fjalë nuk japin masën e dënimit, nëse shkelet kjo dispozitë e ligjit, por gjithsesi kemi ende të bëjmë me një projekt që mund të ketë nevojë për ndryshime të mëtejshme.

Mënyra e përfitimit

“KQZ-ja brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar proporcional në shkallë vendi përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme. Duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë fituar jo më pak se 0.5% të votave në shkallë vendi". Në rast se shuma e përfituar është me e madhe se ajo e llogaritur, partitë duhet të kthejnë lekët.

Penalizimet për administratën

Tjetër risi në kodin e ri zgjedhor do të jetë ndalimi dhe penalizimi i punonjësve të administratës dhe nxënësve të shkollave në fushatë, gjatë orarit të punës ose mësimit. Po ashtu në nenin 88 të Kodit shtohet se "gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi ose lëvizja në detyrë, në institucionet publike". Në këtë kapitull të Kodit është parashikuar dhe rritja e dënimit për partitë që nuk do të respektojnë kuotën gjinore në listën e kandidatëve me rreth 70%.

Ndarja e fondit

Ndërkohë në ligj sërish parashikohet se pjesën më të madhe të shumës së vendosur e marrin partitë që kanë mandate në Kuvend, rreth 90% të saj. Sipas relacionit që i bashkëngjitet draftit, shpërndarja bëhet në bazë të votave që kanë marrë në proporcional në zgjedhjet pararendëse të Kuvendit. Kjo shumë u jepet partive politike jo më vonë se pesë ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›