E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parate qe do të japë shteti për ushtarakët në detyrë dhe në lirim

Kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët në shërbim. Në skemë edhe personat që paguhen me pagesë kalimtare
Erald Kapri

Ushtarakët në detyrë, por edhe në lirim, janë të përfshirë në skemën e pagimit të kontributeve për sigurimet shoqërore. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, por edhe me Institutin e Sigurimeve, kanë përcaktuar pagesën e kontributeve për çdo ushtarak. Buxheti i Shtetit ka parashikuar transferimin në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore kontribute për disa kategori ushtarakësh. Kjo është pjesa të cilën shteti do ta mbulojë me shpenzimet e veta. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të përfitojë fondet nga buxheti, i cili do t’i vetadministrojë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore depoziton në Degën e Thesarit të Tiranës planin vjetor të kontributeve për ushtarët, të ndarë në muaj. Financimet nga buxheti bëhen çdo muaj, sipas planit. Brenda datës 10 të muajve prill, gusht dhe dhjetor, ISSH paraqet në Degën e Thesarit evidencën e numrit mesatar të ushtarëve për 4-mujorin, të dërguar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme. Mbi bazën e këtij numri bëhet llogaritja e kontributeve të 4-mujorit. Diferencat midis financimeve të tërhequra sipas planit dhe financimeve faktike, sistemohen në muajin fundit të çdo 4-mujori. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme dërgojnë pranë ISSH-së listat emërore të ushtarëve për efekt të evidentimit të periudhës së sigurimit brenda muajit janar të vitit pasardhës. Për personat që trajtohen me pagesë papunësie, kontributet llogariten mbi pagën minimale të përcaktuara sipas Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore”. ISSH njofton në Degën e Thesarit për çdo muaj në momentin e tërheqjes së financimeve, numrin e personave që trajtohen me pagesë papunësie të konfirmuar dhe nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Mbi bazën e kësaj evidence dhe kërkesës së ISSH-së bëhet kalimi nga buxheti i shtetit në buxhetin e pavarur të Sigurimeve Shoqërore.
Shërbimi i detyrueshëm dhe kalimtar
Për personat që kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak kontributet llogariten mbi pagën e realizuar nga ushtaraku para se të fillonte shërbimin e detyrueshëm në përqindjet e caktuara në Ligjin nr. 7703 date 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore”. Ndërkohë që në rastet kur personat që kryejnë shërbimin ushtarak nuk kanë punuar më përpara se të mbaronin shërbimin kontributet llogariten mbi bazën e pagës minimale të përcaktuar me vendim që qeverisë. Për personat që paguhen me pagesë kalimtare, sipas Ligjit nr. 8097 datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, kontributet llogariten mbi pagën e realizuar nga këta persona para se të fillonte trajtimi me pagesë kalimtare dhe në përqindjet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703 datë 11.03.1993. ISSH-ja njofton në Degën e Thesarit përkatëse për çdo muaj në momentin e tërheqjes së financimeve numrin e personave që trajtohen me pagesë kalimtare, të konfirmuar nga sektori i Sigurimit Suplementar në ISSH. Mbi bazën e kësaj evidence dhe kërkesës së ISSH-së bëhet kalimi i fondit nga buxheti i shtetit në buxhetin e pavarur të Sigurimeve Shoqërore.
Ushtarakët e liruar dhe të industrisë
Për ushtarakët e liruar, që trajtohen sipas Ligjit nr. 8087 datë 13.03.1996, kontributet llogariten mbi pagën referuese të këtyre personave para së të fillonte trajtimi financiar nga dispozitat e ligjit të vitit ‘96 dhe në përqindjet e caktuara në ligjin e vitit 1993. ISSH-ja njofton në Degën e Thesarit Tiranë për çdo muaj në momentin e tërheqjes së financimeve, numrin e ushtarakëve që trajtohen me pagesë të parakohshme, të konfirmuar nga sektori i Sigurimit Suplementar pranë ISSH-së. Instituti, mbi bazën e evidencës së dërguar nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme, njofton në Degën e Thesarit çdo muaj edhe numrin e ushtarakëve në reformë, trajtimi financiar i të cilëve bëhet nga ministritë përkatëse. Mbi bazën e evidencës dhe kërkesës së ISSH-së, bëhet kalimi i fondit nga buxheti i shtetit në buxhetin e pavarur të Sigurimeve Shoqërore. Kalimi i këtyre fondeve bëhet çdo muaj nga Dega e Thesarit Tiranë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, duke kërkuar zbatimin e kritereve të përshkruara në aktet ligjore e nënligjore përkatëse. Për punëtorët e Industrisë Ushtarake nën pagesë të veçantë. Llogaritja e kontributeve për këtë kategori personash bëhet nga ISSH-ja, në bazën e numrit të personave që trajtohen dhe të pagës mesatare mbi të cilën janë llogaritur përfitimet, por jo më pak se paga minimale. Numri i përfituesve për këtë kategori do të depozitohet në Degën e Thesarit Tiranë nga ISSH-ja, në bazën e një evidence të konfirmuar nga sektori i Sigurimit Suplementar.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›