E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet suplementare, në buxhet 30 milionë dollarë

Ministria e Mbrojtjes, në fillim të vitit ka deklaruar se i ka fondet për pensionet suplementare. Në Buxhetin e Shtetit janë parashikuar 30 milionë dollarë, të cilat do të shkojnë për përfitimet suplementare. Ndërsa nuk është bërë e qartë se me këtë është nënkuptuar përfitimi i ushtarakëve në rezervë apo për ushtarakët në detyrë. Megjithatë, pritet që dhe për këtë çështje të ketë bisedime të tjera me Ministrinë e Financave. Ndërkohë që skema do të jetë e debatueshme dhe tek ata ushtarakë që do të mbesin pa pensionin e parakohshëm. Sipas ligjit, një draft më parë kalon për miratim në qeveri, ndërsa më pas për votim në parlament. Duket se do të jenë diskutimet në komisionet parlamentare si dhe në seancën kur dhe do të realizohet votimi, që do të sjellin një përplasje mes forcave politike si dhe të ushtarakëve. Grupi i ekspertëve në Ministrinë e Mbrojtjes ka parashikuar një propozim tjetër për pensionin e parakohshëm. Kështu është vendosur të jepet 70 për qind e pagës, si dhe një koeficient shtesë sipas gradave, por duke i qëndruar tavanit për jo më shumë se rreth 2 pensione bazë. Grupi i punës ka arritur në përfundimin se duhen propozuar dy skema për pensionin e plotë. E para do t’i përkasë pensionit për ushtarakët e lartë dhe skema e dytë do të jetë për ushtarakët me gradë të ulët. Për ushtarakët me gradë madhore do të jepet pension i barabartë me 80 për qind të pagës. Ndërsa kjo shumë do të shtohet dhe me shtesën për gradë, si dhe me koeficientin e vështirësisë në detyrë. Kështu, koeficienti i vështirësisë në detyrë do të jetë nga 1,5 deri në 3 për qind. Përsa u përket ushtarakëve me gradë të ulët, skema do të jetë krejt ndryshe: për ta do të jepet 85 për qind e pagës, si dhe shtesa për gradë. Për ta do të ketë dhe një rritje me 2 për qind për vite pune, por me një tavan përfitimi më të ulët nga sa e kanë ushtarakët me gradë të lartë.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›